Lajme Zone
Kosova heq flamurin e Ukrainës nga qendra e Prishtinës pas deklaratës së Zelenskyt
BotëJOQ Albania
Ky artikull është pjesë e një historie me 8 burime — Krahaso mbulimin →

Kosova heq flamurin e Ukrainës nga qendra e Prishtinës pas deklaratës së Zelenskyt

Komuna e Prishtinës ka hequr nga qendra e kryeqytetit flamurin me mbishkrimin “Free Ukraine”, pas deklaratave të presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky lidhur me Kosovën.

Komuna e Prishtinës ka hequr nga qendra e kryeqytetit flamurin me mbishkrimin “Free Ukraine”, pas deklaratave të presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky lidhur me Kosovën.

Reagimi i Prishtinës erdhi një ditë pas vizitës së Zelenskyt në Beograd, ku kreu i shtetit ukrainas deklaroi se Kievi nuk e ka ndryshuar qëndrimin e tij për mosnjohjen e pavarësisë së Kosovës.

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, tha se vendimi për heqjen e flamurit lidhet me qëndrimin e shprehur nga presidenti ukrainas.

“Shteti i Kosovës duhet të respektohet. Kur Kosova nuk respektohet, kryeqyteti, Prishtina përgjigjet gjithmonë njëjtë”, u shpreh Rama në rrjetet sociale.

Flamuri ukrainas ishte vendosur në qendër të Prishtinës pas nisjes së luftës në Ukrainë, si shenjë solidariteti me popullin ukrainas.

Rama theksoi se Kosova ka qenë gjithmonë në krah të popujve që përballen me luftë, dhunë dhe përndjekje, duke kujtuar historinë e vet dhe sakrificat për liri e shtetësi.

Megjithatë, sipas tij, solidariteti nuk mund të jetë i njëanshëm.

“Asnjë kauzë dhe asnjë politikë nuk mund të ndërtohet duke nënçmuar shtetësinë e Kosovës dhe sakrificën e popullit të saj”, deklaroi kryetari i Prishtinës.

Gjatë vizitës së tij në Serbi, Zelensky deklaroi se Ukraina vazhdon të respektojë integritetin territorial të Serbisë dhe se qëndrimi i Kievit për Kosovën mbetet i pandryshuar.

Ai gjithashtu shprehu mirënjohje për Serbinë për qëndrimin e saj ndaj integritetit territorial të Ukrainës, përfshirë Krimenë, e cila u aneksua nga Rusia në vitin 2014.

Pavarësisht se Ukraina nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, Prishtina ka mbështetur Ukrainën pas nisjes së luftës, duke iu bashkuar sanksioneve kundër Rusisë dhe duke strehuar gazetarë ukrainas të larguar nga vendi për shkak të konfliktit.