Korrupsioni, kostoja e lartë e arsimit dhe e jetesës, si dhe mungesa e perspektivës për të rinjtë janë disa prej faktorëve që, sipas analistit Gabriel Partos, qëndrojnë pas valës së pakënaqësisë dhe protestave në Shqipëri. Sipas tij, trazirat aktuale mund të ndikojnë edhe në procesin e integrimit europian, duke rrezikuar pengimin apo vonimin e rrugës së Shqipërisë drejt BE-së. Në intervistën për Top Channel me gazetarin Muhamed Veliu, Partos tha se protestat përbëjnë sfidën më të madhe për udhëheqjen e kryeministrit Edi Rama në 13 vitet e tij në krye të qeverisë.
Duke analizuar arsyet e protestave, Partos tha se Shqipëria ka shënuar edhe zhvillime pozitive gjatë viteve të fundit, përfshirë përmirësimin e standardeve të jetesës dhe përpjekjet për anëtarësimin në Bashkimin Europian. Megjithatë, sipas tij, pakënaqësia vijon të ushqehet nga disa probleme.
“Natyrisht ka shumë pakënaqësi jo vetëm me korrupsionin, një çështje e cila vazhdon, por edhe në këtë rast specifik me studentët, të cilët përballen me një kosto të lartë të edukimit të tyre. Sidomos pamundësia e të ardhmes së tyre pasi ata diplomohen”, deklaroi Partos.
Ai e lidhi mungesën e perspektivës edhe me largimin e të rinjve nga vendi dhe fenomenin e “rrjedhjes së trurit”.
Sipas Partos, mijëra të rinj largohen për të punuar ose vazhduar studimet në vende të tjera të Europës dhe botës. “Pra janë një kombinim arsyesh specifike shqetësimesh, duke nisur nga kostoja e edukimit, kostoja e jetesës, mungesa e perspektivës, sikurse çështja e korrupsionit, një sëmundje kronike e shoqërisë në Shqipëri”, tha ai.
Partos theksoi se kjo pakënaqësi ekziston pavarësisht punës së sistemit të drejtësisë për të luftuar korrupsionin ndër vite.
Sipas tij, protestat aktuale dallojnë edhe për përmasat dhe dhunën e shfaqur, të cilën e cilësoi të paprecedentë në dekadat e fundit në Shqipëri. Ai tha gjithashtu se protestuesit kanë shprehur pakënaqësi si ndaj partisë në pushtet, ashtu edhe ndaj opozitës, duke e konsideruar lëvizjen si një protestë më të gjerë ndaj klasës politike që ka qeverisur vendin gjatë dekadave të fundit.
Partos u ndal edhe te pasojat që situata aktuale mund të ketë për objektivin e Shqipërisë për anëtarësimin në Bashkimin Europian deri në vitin 2030.
“Absolutisht po. Delegacioni i BE-së e bëri të qartë se rendi dhe ligji duhet të zbatohen në mënyrë proporcionale, për të mos përdorur forcë më shumë se çfarë kërkohet, por natyrisht kjo është e vështirë kur demonstruesit përfshihen në akte dhune”, tha Partos.
Sipas tij, Shqipëria duhet të tregojë se është një shoqëri konsensuale, ndërsa qeveria duhet të vijojë reformat, veçanërisht ato që lidhen me shtetin ligjor dhe luftën kundër korrupsionit.
“Shqipëria duhet të prezantojë një shoqëri konsensuale ku qeveria duhet të vijojë me reformat, shumë prej të cilave duhet të konsolidohen, sidomos ato të shtetit ligjor, pa harruar luftën me korrupsionin”, deklaroi ai.
Partos paralajmëroi se zhvillimet aktuale mund të kenë pasoja për procesin europian të vendit, ai tha se ekziston rreziku që procesi të pengohet ose vonohet.
“Ka një rrezik që rruga e Shqipërisë drejt BE-së të mund të pengohet apo vonohet dhe kjo patjetër është kundër interesit të shumicës së shqiptarëve”, përfi Partos. Top Channel

