Reforma Territoriale është kthyer në qendër të debatit gjatë ditëve të fundit, ndërsa PS ka propozuar shkrirjen e 15 Bashkive , propozim i cili ka pasur shumë kundërshtime. Në një intervistë në “News24” deputeti i PD Enno Bozdo analizoi zhvillimet e fundit lidhur me reformën territoriale, duke u ndalur edhe te protestat kundër kryeministrit Edi Rama që mbahen prej më shumë se dy muaj. Shkrirja e Bashkive rrezikon që të harrohen njësitë më periferike. “Kjo nuk është reformë territoriale, është hartë e re. Ka pasur vetëm dëgjesa dhe ende nuk është përfunduar grupi i parë i dëgjesave. Gjithashtu ekspertët e të dy palëve duhet të uleshin dhe të shqyrtonin interesat e qytetarëve”, tha ai.
Gjithashtu ai theksoi se me shkrirjen e Bashkive, kryeministri Rama e ka më të thjeshtë sipas tij të administrojë Shqipërinë, ndërsa shton se Rama të gjitha hapat që ka bërë kanë qenë drejt pushtetit autokrat dhe se qëllimi i tij është vetëm të centralizojë pushtetin. “Është vullneti politik i Edi Ramës për ta ndërprerë punën e Komisionit për të arritur me hartën e tij që besoj se e ka pasur më parë. Të gjitha hapat që ai ka hedhur janë hapa drejt pushtetit autokrat. Koncepti i centralizimit shkon me përqendrimin e pushtetit dhe kontrollin më të mirë, nuk ka lidhje me shërbimet. E kemi dëgjuar që Rama apo njerëzit flasin edhe në emër të BE…Çdo argument që mazhoranca hedh për BE nuk qëndron është argument politik. Kemi humbur një shans të madh për të korrigjuar të gjitha mbrapshtësitë e 2015”, tha ai, duke shtuar: “Korrupsioni nuk është zhdukur ndonjëherë. Nuk bëhej fjalë për koncepte të tipit të 5 D, por mërej i gjithë fondi për vete. Pra koncepte të tilla, grabitja ka ardhur nga Bashkia më e madhe e vendit. Unë mendoj që kjo ka qenë varianti që Rama ka pasur në mendje që para se të niste punë Komisioni, ajo që kam unë besim është vetëm reagimi i njerëzve. Por në fund të ditës në çastin që bashkia ikën, niveli i shërbimeve do të përgjysmohet dhe harresa do të jetë më e madhe”.
Sa i përket protestave, Bozdo u shpreh se ka bërë bashkë qytetarë të shumë dhe me flukse të ndryshme duke shtuar se i mban bashkë kundërshtimi dhe kërkesa për largimin e Ramës.
“Protesta nuk është e PD dhe e partive të tjera. Nëse PD do kishe dëshirën për ta kapur atë protestë, do e bënte atë shumë shpejt, por kjo është ta shkatërrosh protestën atje…PD , kryetari i PD i ka bërë thirrje ta mbështesin. Numrat janë të rëndësishëm. Aty ka shumë flukse dhe të gjitha i mban bashkë kundërshtimi i Edi Ramës, ata e ndjejnë veten të huaj në vendin e tyre. Ata kanë dalë në rrugë për të thënë që nuk jemi shifra apo statistikë duhet të na dëgjoni. Kjo vlen për qeverinë, por edhe për PD. Fryma e protestës është kundër qeverisë. ? Për herë të parë në retorikën e BE si një vend ku shoqëria reagon, ka ndërgjegje qytetarëve sepse jemi paragjykuar, por ja ku e kemi është një xhevahir që duhet ta ruajmë. Kjo është një protestë që do i ndryshojë faqen Shqipërisë. Është fryma shumë e fortë dhe qytetaria shumë e fortë”, tha ai. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb Etiketa: Enno Bozdo

