Policia Rrugore e Shkodrës ka intensifikuar kontrollet në të gjitha akset rrugore të qarkut, duke përdorur dronë, radarë dhe makina inteligjente, me qëllim parandalimin e aksidenteve dhe menaxhimin e trafikut gjatë sezonit veror.
Kontrollet janë përqendruar veçanërisht te drejtuesit që qarkullojnë nën efektin e alkoolit, pa leje drejtimi, kryejnë parakalime të gabuara, tejkalojnë shpejtësinë e lejuar apo përdorin mjete me xhama të riveshur.
Sipas Policisë, gjatë periudhës 30 korrik–6 gusht 2026, është arrestuar një drejtues mjeti dhe është proceduar penalisht një tjetër, për veprat penale “Drejtimi i mjeteve në mënyrë të parregullt” dhe “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”. Gjithashtu, është pezulluar një leje drejtimi. Në të njëjtën periudhë janë vendosur gjithsej 1223 masa administrative për shkelje të ndryshme të Kodit Rrugor.
Nga këto, 471 masa janë vendosur për tejkalim të shpejtësisë, 329 për ndalim ose qëndrim të gabuar, 72 për parakalime të gabuara, 57 për mosvendosjen e kaskës mbrojtëse dhe 28 për drejtim të mjetit nën efektin e alkoolit. Ndërkohë, 266 masa janë vendosur për shkelje të tjera të Kodit Rrugor.
Policia Rrugore e Shkodrës bën me dije se kontrollet do të vijojnë në të gjitha akset urbane, interurbane dhe rurale të qarkut, duke përdorur mjetet bashkëkohore të monitorimit. Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo! *KryesoreAktualitet
