Me rritjen e numrit të rasteve të kancerit kolorektal te të rriturit e rinj dhe të moshës së mesme, mjekët kanë paralajmëruar për rëndësinë e depistimit dhe zbulimit të hershëm, me qëllim parandalimin e vdekjeve nga kjo sëmundje. Sipas studiuesve në Institutin Karolinska dhe Universitetin Umeå në Suedi, depistimi në kohën e duhur mund të ulë vdekshmërinë nga kanceri i zorrës së trashë deri në 43%, një vlerësim i rishikuar i arritur pasi ata analizuan të dhëna mjekësore të 14 viteve nga Stokholmi.Lexo edhe:Cili mëngjes është më i mirë për zorrët tuaja - farat chia apo bollguri "Një vlerësim i mëparshëm i programit tregoi se ata që morën një ftesë për depistim kishin një rrezik 14% më të ulët për të vdekur nga kjo sëmundje“, tha Johannes Blom, profesor i asociuar në Institutin Karolinska, ekipi i të cilit analizoi të dhënat e rreth 376.000 personave. "Vdekshmëria është ndjeshëm më e ulët te ata që marrin pjesë realisht në depistim“, tha Blom. Megjithëse kanceri kolorektal është ndër format më të zakonshme të kancerit, ai ka një „prognozë të favorshme nëse zbulohet herët“, tha Instituti Karolinska në një deklaratë lidhur me kërkimin, të publikuar në JAMA Network Open, një revistë e Shoqatës Mjekësore Amerikane. Por, në të njëjtën kohë, shumë njerëz zgjedhin të mos kontrollohen edhe kur ofrohet depistim universal falas, si në Suedi, ku rreth një në tre persona e anashkalon procedurën. "Studimi ynë nxjerr në pah rëndësinë e pjesëmarrjes në depistimin për kancerin kolorektal dhe tregon se ai mund të shpëtojë realisht jetë“, tha Blom. Në korrik, studiuesit mjekësorë në Universitetin Queen’s të Belfastit (QUB) publikuan gjetje që tregojnë se si kanceri i zorrës së trashë ka zhvilluar rezistencë ndaj kimioterapisë. Sëmundja po bëhet gjithnjë e më e zakonshme në të gjitha grupmoshat, ndërsa revista Annals of Oncology dhe Shoqata Amerikane e Kancerit publikuan në fillim të vitit 2024 studime që përshkruanin rritjen e numrit të rasteve në Evropë dhe Amerikën e Veriut te personat e moshës 25 deri në 49 vjeç./DPA News

