Lajme Zone
Kontributi i Shqipërisë në BE, projektligji krijon llogarinë e posaçme për pagesat në buxhetin europian
PolitikëTop Channel

Kontributi i Shqipërisë në BE, projektligji krijon llogarinë e posaçme për pagesat në buxhetin europian

Shqipëria pritet të krijojë një instrument të ri financiar si rrjedhojë e detyrimeve që ka ndaj procesit të anëtarësimit në BE. ‘Kontributi Kombëtar i Shqipërisë në buxhetin e Bashkimit Europian’ do të jetë funksional nga data kur vendi ynë të jetë anëtar në familjen europiane.

Shqipëria pritet të krijojë një instrument të ri financiar si rrjedhojë e detyrimeve që ka ndaj procesit të anëtarësimit në BE. ‘Kontributi Kombëtar i Shqipërisë në buxhetin e Bashkimit Europian’ do të jetë funksional nga data kur vendi ynë të jetë anëtar në familjen europiane. Projektligji i sapohedhur këtë të premte në konsultim publik parashikon ngritjen e kapaciteteve për krijimin e një sistemi kombëtar të aftë për administrimin, përllogaritjen, raportimin dhe vënien në dispozicion të Burimeve të Veta të Bashkimit Evropian.

Kontributi kombëtar do të përbëhet nga të ardhurat që rrjedhin nga detyrimet doganore të Tarifës së Përbashkët Doganore dhe nga detyrimet e tjera të vendosura ose që do të vendosen nga institucionet e Bashkimit Evropian për tregtinë me vendet e treta, si dhe nga burimi i bazuar në tatimin mbi vlerën e shtuar (TVSH), burimin e bazuar në të ardhurat kombëtare bruto.

Në dokumentin e siguruar nga Top Channel planifikohet hapja e një llogarie të posaçme bankare për kontributin kombëtar, e cila do të jetë në pronësi të Republikës së Shqipërisë, e administruar pranë Bankës së Shqipërisë nga Ministria e Financave, në të cilën arkëtohen fondet dhe kryhen transferimet përkatëse në buxhetin e Bashkimit Evropian.

Ministria e Financave do të jetë përgjegjëse si autoritet koordinues dhe për llogaritjen e vlerës së kontributit kombëtar për BE. Gjithashtu do të formohet Komiteti Kombëtar për Kontributin Kombëtar në BE, që do të kryesohet nga Ministri i Financave dhe ka në përbërjen e tij Sekretarin e Përgjithshëm të Ministrisë për Financat; Ministrin përgjegjës për mjedisin dhe Titullarin e Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, të cilët do të mbledhin të dhëna edhe mbi mbetje të paketimit plastik që nuk riciklohen.

Projektligji krijon gjithashtu bazën ligjore për administrimin e një sistemi të unifikuar të të dhënave, i cili siguron integritetin, saktësinë, gjurmueshmërinë dhe dokumentimin e informacionit që përdoret për përllogaritjen e kontributit kombëtar.

“Miratimi i projektligjit pritet të ketë ndikim pozitiv në forcimin e kapaciteteve institucionale të administratës publike, në përmirësimin e koordinimit ndërinstitucional, në rritjen e cilësisë dhe besueshmërisë së të dhënave zyrtare, si dhe në garantimin e përmbushjes së detyrimeve që rrjedhin nga legjislacioni i Bashkimit Evropian në fushën e Burimeve të Veta”, thuhet në citatën e projektligjit në Ministrinë e Financave.

Procesi dhe raportimi periodik për Kontributin e Shqipërisë në buxhetin e Bashkimit Europian do t’i nënshtrohet auditimit dhe kontrollit edhe nga institucionet e BE, si Komisioni Europian apo Eurostat. Në rast të mosrespektimit të afateve apo shkeljeve, Shqipëria dhe institucionet përgjegjëse do të mbajnë përgjegjësi administrative, disiplinore, civile ose penale. Top Channel