Policia e Vlorës ka reaguar për ngjarjen e ndodhur këtë të enjte në një resort në qytetin bregdetar, pas pretendimeve të biznesmenit Vasil Bedinaj. Në njoftimin paraprak, Policia nuk konfirmon pretendimet e bëra nga Bedinaj për rrethanat dhe dinamikën e ngjarjes, por konfirmon se ka pasur një konflikt dhe se vetë pronari i resortit ka telefonuar Policinë, duke deklaruar se persona të armatosur po konfliktoheshin me të.
Sipas njoftimit zyrtar, rreth orës 11:30, pronari i resortit ka kërkuar ndërhyrjen e Policisë.
Menjëherë, në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë, ku gjatë ndjekjes së autorëve, dy persona që udhëtonin me një automjet, janë aksidentuar në urën e Peshkëpisë, në hyrje të qytetit të Vlorës.
Njoftimi i policisë:
Vlorë/Informacion paraprak
Rreth orës 11:30, pronari i një resorti në Vlorë ka njoftuar Policinë se persona të armatosur po konfliktoheshin me të.
Menjëherë pas njoftimit, shërbimet e Policisë kanë shkuar në drejtim të adresës së dhënë, si dhe kanë ngritur pika kontrolli.
Shërbimet e Policisë, në afërsi të Pusit të Mezinit, kanë konstatuar një automjet që lëvizte me shpejtësi dhe janë vënë në ndjekje të tij.
Drejtuesi i këtij automjeti ka humbur kontrollin dhe është aksidentuar. Në automjet janë konstatuar 3 shtetas, 2 prej të cilëve janë dëmtuar si pasojë e aksidentit, ndërsa tjetri nuk ka probleme shëndetësore.
Gjatë kontrollit në automjet, shërbimet e Policisë kanë gjetur 1 armë zjarri, pistoletë.
Është ngritur një grup i posaçëm hetimor, i cili, në drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen e dinamikës së ngjarjes dhe identifikimin e të gjithë shtetasve të përfshirë.
Shërbimet e Policisë së DVP Vlorë, në bashkëpunim me shërbimet e disa DVP-ve të tjera, po kryejnë kontrolle dhe veprime të tjera, me qëllim identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje.
Meqenëse veprimet janë dinamike, në përfundim të veprimeve të para hetimore do të ketë një njoftim të plotë për ngjarjen. Top Channel

