Lajme Zone
Konferenca e OKB për Klimën mbyllet pa marrëveshje, përplasjet për karburantet fosile bllokuan negociatat në Turqi
PolitikëBalkanWeb
Ky artikull është pjesë e një historie me 4 burime — Krahaso mbulimin →

Konferenca e OKB për Klimën mbyllet pa marrëveshje, përplasjet për karburantet fosile bllokuan negociatat në Turqi

Konferenca e Kombeve të Bashkuara për Klimën, COP31, është mbyllur të dielën në Antalia të Turqisë pa një marrëveshje përfundimtare, pas dy javësh negociatash të karakterizuara nga përplasjet e forta mes vendeve që kërkojnë largimin gradual nga karburantet fosile dhe atyre që kundërshtojnë një angazhim të tillë.

Konferenca e Kombeve të Bashkuara për Klimën, COP31, është mbyllur të dielën në Antalia të Turqisë pa një marrëveshje përfundimtare, pas dy javësh negociatash të karakterizuara nga përplasjet e forta mes vendeve që kërkojnë largimin gradual nga karburantet fosile dhe atyre që kundërshtojnë një angazhim të tillë. Bisedimet, ku morën pjesë delegacione nga afro 200 shtete, u zgjatën përtej afatit të parashikuar, duke e kthyer këtë samit në konferencën më të gjatë klimatike të OKB-së. Mosmarrëveshjet u përqendruan kryesisht te mungesa e referencave për naftën, gazin dhe qymyrin në projektmarrëveshjen përfundimtare. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, António Guterres, shprehu zhgënjim për rezultatin, duke theksuar se qeveritë nuk arritën t’i përgjigjen urgjencës së krizës klimatike. “E ndaj zhgënjimin e thellë të të gjithë atyre që prisnin që qeveritë të përballeshin me sfidën që kërkon kriza klimatike. Por ky pengim nuk i ndryshon faktet. Mund të mos ketë konsensus në tryezën e negociatave, por shkenca nuk lë vend për paqartësi”, deklaroi Guterres. Ngërçi u thellua të dielën, pasi Bashkimi Evropian kundërshtoi projektmarrëveshjen, e cila nuk përmbante asnjë referencë për karburantet fosile. Përfaqësuesit evropianë argumentuan se një tekst i tillë favorizonte vendet eksportuese të naftës dhe shmangte trajtimin e një prej shkaqeve kryesore të ndryshimeve klimatike. Ministri irlandez i Klimës, Darragh O’Brien, në emër të BE-së, deklaroi se Unioni nuk do të mbështeste një pakt që nuk përmendte karburantet fosile. Qëndrimi i tij u mbështet edhe nga një grup vendesh më të vogla, të cilat janë veçanërisht të ekspozuara ndaj pasojave të ngrohjes globale, por u kundërshtua nga shtetet prodhuese të naftës, përfshirë Arabinë Saudite.

Presidenti i COP31, ministri turk i Mjedisit Murat Kurum, konfirmoi se projektmarrëveshja nuk u miratua për shkak të mungesës së konsensusit. Ai tha se organizatorët nuk kishin ushtruar presion ndaj palëve dhe se teksti nuk mund të miratohej pa pëlqimin e të gjitha vendeve pjesëmarrëse.

Edhe ministri australian i Klimës dhe Energjisë, Chris Bowen, tha se negociatat dështuan për shkak të qëndrimeve të papajtueshme mes palëve, ndërsa e cilësoi situatën gjeopolitike si një nga më të ndërlikuarat e viteve të fundit.

Përplasjet ishin të dukshme edhe në ditët e mëparshme. Një grup vendesh i udhëhequr nga Franca dhe Panamaja kishte kundërshtuar projektmarrëveshjen, duke kërkuar përmendjen e qartë të karburanteve fosile dhe angazhime më të forta për financimin e klimës. Ndërkohë, formulimet për largimin gradual nga nafta, gazi dhe qymyri, të përfshira në një version të parë të dokumentit, u hoqën në projektet e mëvonshme.

Në konferencë nuk morën pjesë përfaqësues të Shteteve të Bashkuara, për të dytin vit radhazi, pas vendimit të administratës së Donald Trumpit për t’u tërhequr nga Marrëveshja e Parisit e vitit 2015. Kjo marrëveshje synon kufizimin e rritjes së temperaturës globale në 1.5 gradë Celsius mbi nivelet paraindustriale, objektiv që bota rrezikon gjithnjë e më shumë ta tejkalojë.

Gjatë samitit, Guterres u bëri thirrje qeverive të largohen nga karburantet fosile, të trefishojnë financimin për përshtatjen ndaj ndryshimeve klimatike deri në vitin 2035 dhe të vendosin taksa mbi fitimet e jashtëzakonshme të kompanive të këtij sektori, në mënyrë që vendet më të cenueshme të përballojnë pasojat e fatkeqësive natyrore.

“Ndotësit duhet të paguajnë”, theksoi ai, duke paralajmëruar se kriza klimatike po thellon edhe paqëndrueshmërinë sociale dhe politike.

Ndërkohë, projektimet e diskutuara gjatë konferencës tregojnë se, edhe nëse planet aktuale klimatike të vendeve zbatohen plotësisht, rritja e temperaturës globale mund të kalojë 2.5 gradë Celsius. Kjo do të ishte më shumë se objektivi prej 1.5 gradësh i Marrëveshjes së Parisit, për të cilin shkencëtarët paralajmërojnë se çdo tejkalim do të shtojë shpeshtësinë dhe intensitetin e pasojave të ndryshimeve klimatike.

Përfaqësues të organizatave mjedisore kritikuan gjithashtu mungesën e angazhimeve konkrete, duke kërkuar ndalimin e zgjerimit të industrisë së karburanteve fosile, përfundimin e subvencioneve për këtë sektor dhe një tranzicion energjetik që mbron punëtorët dhe komunitetet e prekura. Ata paralajmëruan se ndikimi i industrisë së naftës dhe gazit në negociatat klimatike po bëhet gjithnjë e më i madh. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb