Me 8 vota pro nga socialistët dhe 3 kundër nga demokratët, Komisioni i Ligjeve miratoi nen për nen ndryshimet ligjore për rritjen e pagave të magjistratëve. Miratimi i draftit i hap rrugë shqyrtimit dhe votimit të tij të enjten në seancë plenare. Me kërkesë të Partisë Demokratike dhe me dakordësinë e mazhorancës, në komision u thirrën për t’u dëgjuar përfaqësues të institucioneve të drejtësisë, të cilët kundërshtuan formulën e propozuar nga qeveria. Në emër të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, kryetarja Mirela Bogdani u shpreh kundër formulës së mazhorancës. Në të njëjtën linjë ishte edhe zëvendëskryetari i Gjykatës së Lartë, Ilir Panda. Më i ashpër në qëndrimin e tij përpara deputetëve ishte kreu i Shoqatës së Gjyqtarëve, Gerd Hoxha. Ai theksoi se vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk mund të negociohet. Kundër draftit u rreshtua edhe opozita, e cila kërkoi rrëzimin e ndryshimeve dhe kritikoi qeverinë për mënyrën e përcaktimit të pagave në sistemin e drejtësisë. “Këtu jemi përpara një krize kushtetuese të shkaktuar nga ekzekutivi, nga qeveria. Ua kemi paralajmëruar këtë gjë 10 vite më parë. Nuk jeni në gjendje të caktoni një hierarki pagash. Ligji duhet të rrëzohet”, tha deputeti demokrat Oerd Bylykbashi. I pranishëm në mbledhjen e Komisionit të Ligjeve, ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, kritikoi Kuvendin për vonesën në miratimin e formulës së re, por deklaroi se drafti i propozuar nga mazhoranca i jep zgjidhje situatës. “Kuvendi e humbi afatin e 31 korrikut, kjo është një gjë që nuk ka nevojë të justifikohemi. Dua të them një gjë shkoqur, nuk besoj se vonesa e Kuvendit të sillte përplasje mes pushteteve”, u shpreh Gogu, Përplasja për pagat në sistemin e drejtësisë nisi pasi Kuvendi nuk miratoi deri më 31 korrik formulën e re të pagave, në përputhje me kërkesën e Gjykatës Kushtetuese. Pas përfundimit të afatit, Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë vendosën që, nga 1 gushti, paga referuese të llogaritej mbi 222 mijë e 425 lekë, duke i shtuar edhe 14 mijë lekë për kualifikimin.
