Komandanti i KFOR-it, gjeneral majori turk Özkan Ulutaş, ka identifikuar retorikën nxitëse dhe përhapjen e vazhdueshme të dezinformatave si dy prej zhvillimeve që paraqesin shqetësim për mjedisin e sigurisë në Kosovë.Për KP, Ulutaş tha se këto dukuri mund të ndikojnë në stabilitetin e situatës dhe për këtë arsye, sipas tij, KFOR-i vazhdon të jetë vigjilent dhe i pozicionuar në të gjithë territorin e Kosovës. “Retorika nxitëse dhe përdorimi i vazhdueshëm i dezinformatave janë ndër shqetësimet tona, duke pasur parasysh ndikimin që ato mund të kenë në mjedisin e sigurisë. Për këtë arsye, KFOR-i mbetet vigjilent dhe i pozicionuar mirë në të gjithë Kosovën”, ka deklaruar Ulutaş.Komandanti i trupave të NATO-s në Kosovë ka theksuar se siguria afatgjatë nuk mund të arrihet përmes mjeteve ushtarake, por përmes një procesi politik.Sipas tij, dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, mbetet korniza kryesore për adresimin e çështjeve të pazgjidhura.“KFOR-i do të vazhdojë të luajë rolin e tij në kuadër të përpjekjeve më të gjera të NATO-s për të mbështetur avancimin e dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës”, ka thënë ai.Ulutaş ka shtuar se ky proces duhet të çojë drejt zgjidhjeve që respektojnë të drejtat e të gjitha komuniteteve dhe kontribuojnë në një siguri të qëndrueshme në Kosovë.Deklaratat e tij vijnë në një periudhë kur situata e sigurisë në Kosovë vazhdon të monitorohet nga afër nga institucionet vendore dhe misioni i NATO-s, veçanërisht pas sulmit të armatosur në Banjskë të Zveçanit në shtator të vitit 2023.

