Pronari i një bistroje familjare në Greenmount, Bury, Rezart Balesi, 44 vjeç, është dënuar me 7 vjet e 6 muaj burgim për rolin e tij si figura kryesore e një grupi të organizuar që shpërndante kokainë përmes WhatsApp. Sipas gjykatës, Balesi përdorte Village Bistro në Vernon Street si bazë për aktivitetin kriminal. Gjykatësja Sarah Johnston e cilësoi grupin si një “ndërmarrje tregtare dhe fitimprurëse”, ndërsa mesazhet e sekuestruara tregonin se grupi mund të fitonte deri në 9,000 paund në një natë. Hetimi, i zhvilluar nga Njësia Rajonale e Krimit të Organizuar Veriperëndimor, mbuloi periudhën nga maji 2024 deri në mars 2026.
Në aktivitet ishin përfshirë edhe djali i tij, Joshua Balesi, 22 vjeç, i dënuar me 4 vite burg, dhe vëllai Refail Balesi, 39 vjeç, i dënuar me 5 vjet e 3 muaj. Joshua dhe Refail kontrollonin një linjë telefonike për porositë e kokainës dhe më pas koordinonin shpërndarjen përmes tregtarëve të rrugës. Gjykata dëgjoi se gjatë disa ditëve kryheshin dhjetëra marrëveshje droge dhe një ekspert vlerësoi se rreth 790 gramë kokainë ishin furnizuar në një periudhë tre mujore. Mesazhet flisnin gjithashtu për blerje të kokainës me shumicë për 36,000 paund. Gjykatësja Johnston e kritikoi rëndë Rezartin për përfshirjen e djalit të tij në aktivitet kriminal që kur ai ishte vetëm 18 vjeç, duke i thënë se kjo “duhet të jetë për turpin tënd të përjetshëm”.
Në të njëjtin rast u dënuan edhe bashkëpunëtorët Fatos Vrenezi, 53 vjeç, me 4 vite burg, Lorenzo Canovi, 48 vjeç, me 37 muaj, Immanuel Lumaj, 30 vjeç, me 3 vjet e 9 muaj, dhe Fjoraldo Lukaj, 31 vjeç, me 3 vjet e 6 muaj, ndaj të cilit pritet edhe deportimi. Antonino Precaj, 33 vjeç, mori 27 muaj burg për një komplot të veçantë për kultivimin e kanabisit, ku ishte i përfshirë edhe Joshua. Ndërkohë, Megi Zaimi, gruaja e të dyshuarit si kontrollues Konstantinos Vaso, ishte dënuar më herët me 25 muaj burg të pezulluar për dy vjet, ndërsa Vaso mbetet i lirë. Për gruan e Rezartit, Claire Balesi, nuk u paraqitën prova të mëtejshme dhe ajo u shpall e pafajshme. Prokuroria tha se shkalla e plotë e operacionit ishte e vështirë të përcaktohej, ndërsa policia deklaroi se kishte goditur një grup të rëndësishëm të krimit të organizuar që po shkaktonte dëme në komunitetet lokale.

