Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u ka bërë thirrje anëtarëve dhe mbështetësve të PD-së që t'i bashkohen protestës së paralajmëruar për 28 Nëntorin, e thirrur nga qytetarët dhe diaspora. I pyetur nëse Partia Demokratike do ta mbështesë këtë protestë, Berisha u përgjigj se mbështetja do të jetë e plotë, ndërsa ftoi demokratët nga të gjitha qarqet e Shqipërisë dhe jashtë vendit të marrin pjesë në tubim.
“Mbështetjen më të fuqishme. Thirrja ime është sot për çdo anëtar dhe anëtare, për çdo mbështetës dhe mbështetëse të Partisë Demokratike: më 28 Nëntor të gjithë në Tiranë, në nderim të flamurit tonë kombëtar, kundër këtij regjimi armiqësor ndaj flamurit, ndaj kombit dhe vendit”, deklaroi Berisha.
Ai e cilësoi pjesëmarrjen në protestë si një mënyrë për të nderuar të rënët e kombit.
“Nuk ka nderim më të madh për të rënët e kombit atë ditë, sesa të luftosh për idealet e tyre kundër këtij narkodiktatori. Kam besim se demokratët nga të katër anët e Shqipërisë dhe të katër anët e dheut do të jenë në atë protestë më shumë se asnjëherë”, u shpreh kreu i PD-së.
Koalicioni opozitar dhe zgjedhjet lokale të vitit 2027
Gjatë komunikimit me gazetarët, Berisha foli edhe për përpjekjet për krijimin e një koalicioni të gjerë opozitar në prag të zgjedhjeve lokale të 9 majit 2027.
Ai tha se PD po punon për bashkëpunimin me të gjitha forcat politike dhe grupet e interesit që kundërshtojnë qeverisjen e Edi Ramës, duke theksuar se në këtë bashkim mund të përfshihen edhe subjekte që kanë platforma kundër vetë Partisë Demokratike.
“Ne po punojmë. Ky koalicion është i ndryshëm nga çdo koalicion që është bërë nga viti '91 gjer sot. Kjo do të thotë përpjekje e ndershme për të bashkëpunuar me çdo forcë politike, çdo grup interesi dhe të gjithë ata që konsiderojnë të keqen më të madhe Edi Ramën dhe narkoshtetin e tij”, tha ai.
Berisha theksoi se bashkëpunimi do të synojë ruajtjen e identitetit të secilit subjekt politik.
“Një bashkim duke ruajtur të gjithë identitetet. Po! Një bashkim dhe me ata që platformën e tyre e kanë kundër Partisë Demokratike. Po!”, deklaroi kreu i opozitës.
Sipas tij, synimi është largimi i qeverisë aktuale dhe krijimi i një kuadri ligjor që garanton standarde ndërkombëtare për zgjedhjet, ku secili subjekt të ketë mundësinë të testohet përpara qytetarëve.
I pyetur nëse ndryshimi i sistemit zgjedhor është kusht i panegociueshëm për PD-në në kuadër të reformës zgjedhore, Berisha u përgjigj se kërkesat e paraqitura nuk janë vetëm të demokratëve, por të gjithë spektrit opozitar.
“Ato që kemi paraqitur ne janë kërkesa jo vetëm të Partisë Demokratike, por janë kërkesa të të gjithë spektrit opozitar. Ne jemi përshtatur, kemi përfillur kërkesat e të gjithë spektrit opozitar. E rëndësishme është që atyre t'u dalë zot i gjithë spektri opozitar”, përfi Berisha. Kontakto me Politiko në rast se: Mendoni se nuk shkruajmë Shqip Mendoni se kemi bërë shkelje etike Mendoni se kemi bërë CopyPaste Mendoni se kemi bërë FakeNews Doni të postoni nje Lajm

