Lajme Zone
PolitikëBalkanWeb

“Kjo verë shkriu narkoshtetin dhe teserat e PS”, Berisha nga Këshilli Kombëtar i PD: Agasi, mafiozi më i rrezikshëm pas padrinos Edi Rama!


Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë fjalës së tij në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të PD-së, ka lëshuar akuza të fortë ndaj kryeministrit Edi Rama, duke deklaruar se zhvillimet e kësaj vere kanë demaskuar plotësisht funksionimin e atij që e quajti “narkoshtet”.

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë fjalës së tij në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të PD-së, ka lëshuar akuza të fortë ndaj kryeministrit Edi Rama, duke deklaruar se zhvillimet e kësaj vere kanë demaskuar plotësisht funksionimin e atij që e quajti “narkoshtet”. Berisha denoncoi menaxhimin e zjarreve që përfshinë vendin gjatë muajve të verës, duke pretenduar se fondet e emergjencave civile u përdorën për koncerte me qëllim shuarjen e protestave. Ai nënvizoi se paralelisht me vatrat e zjarrit u dogjën edhe teserat e Partisë Socialiste nga vetë anëtarët e saj në Poliçan, Divjakë, Dimal e Tiranë. Lideri i opozitës u ndal te shembja e propagandës teknologjike, duke përmendur rastin e Ermal Beqirajt dhe dhënien e tenderave milionësh edhe pas hetimeve. Ai komentoi gjithashtu prangosjen e biznesmenit Ergys Agasi, të cilin e cilësoi si “mafiozin më të rrezikshëm të Shqipërisë dhe Evropës Juglindore pas padrinos Rama”. Sipas Berishës, kjo verë shkriu edhe propagandën e drejtësisë së re, duke akuzuar kryeministrin për kontroll mbi SPAK-un. Ai përmendi lirimin nga qelia të ish-ministrit Ilir Beqaj, duke e krahasuar me rastet e Saimir Tahirit e Vangjush Dakos, ku sipas tij asnjë para e vjedhur nuk iu kthye qytetarëve. Në përmbyllje, kryetari i PD-së përmendi dosjen “Albanian Files”, ku 523 projektet e evidentuara i quajti “523 arsye për ta çuar Ramën në qeli”. Berisha paralajmëroi gjithashtu se shqiptarët rrezikojnë të paguajnë një faturë prej 500 milionë eurosh gjobë për shkak të ndërhyrjeve të njëanshme të qeverisë në projektin e Aeroportit të Vlorës. “Të dashur anëtare dhe anëtarë të Këshillit Kombëtar të PD.

Anëtare dhe anëtare të PD, mbështetës, qytetarë që ndiqni këtë mbledhje të Këshillit tonë Kombëtar.

Vera që po lëmë pas do hyjë në histori si vera që dogji Edi Ramën.

Jemi në fund të muajit gusht.

Po mbyllim verën më të nxehtë të viteve të fundit, një verë aq përvëluese që muaj pas muaji, javë pas jave, ditë pas dite ka shkrirë dhe po shkrin narko-shtetin, kreun e saj padrinon Edi Rama.

Zjarret dogjën Shqipërinë këtë verë si rrallë ndonjë vit më parë. Vatra të shumta zjarresh në Fushë Krujë, Krujë, Dajt, Dibër, Bulqizë, Pukë, Finiq, Mallakastër, Gramsh, etj.

Ato, pothuajse, nuk u menaxhuan fare.

Fondet e emergjencës për zjarret kishin shkuar për koncerte për të shuar protestën.

Por këtë verë, zjarret si asnjëherë më parë, dogjën edhe më shumë se kaq. Zjarret dogjën teserat e partisë së krimit.

Siç keni parë në video, nga vetë socialistët që dogjën kartat e tyre në Poliçan, në Divjakë, në Dimal, pa llogaritur edhe mijëra e mijëra të tjera që u dogjën përfundimisht në bulevardin e Tiranës.

Kjo verë shkriu me nxehtësinë e saj propagandën e AKSHI-t.

Shkriu Diellën, Lindat e AKSHI-t.

U kujtoj se Ermal Beqirin e AKSHI-t, pasi vodhi 200 milionë euro, një ditë u arrestua në Francë dhe pak javë më vonë këtij kështjellari, Edi Rama me ministrinë e Financave i dhanë edhe disa milionë euro të tjera për të ndarë së bashku me të.

Miliona euro që shkojnë nga paratë e shqiptarëve në llogaritë e Beqirit, i cili gjendet në qelitë e Francës. Dje u arrestua nga policia mafiozi më i rrezikshëm i Shqipërisë dhe Evropës Juglindore pas padrinos, krahu i djathtë i këtij të fundit, Ergys Agasi.

Kjo verë shkriu plotësisht propagandën e drejtësisë së re.

Edi Rama shpërfaqi hapur kontrollin e tij të plotë mbi Spakun e partisë dhe e nisi atë me pushime në Aruba së bashku me Agaçin dhe Olsin e tij.

Këtë verë, gju më gju me Sadushin e partisë, Edi Rama ndiqte koncertet folk të Petras në Vajzën e Ali Asllanit.

Këtë verë nga drejtësia e re pa bërë zhurmë u lirua nga qelia një nga hajdutët më të pangopur të këtij vendi, Ilir Beqja, që njësoj si Saimir Tahiri, si Jurgen Çyrbja, si Vangjush Dako, Alqi Bllako dhe shumë e shumë të tjerë u futën në burg për dy-tre vite dhe u liruan dhe asnjë qindarkë nga dhjetëra e qindra milionë euro që kanë vjedhur me Edi Ramën nuk iu kthye mbrapsht shqiptarëve.

Kjo verë shkriu plotësisht propagandën e turizmit, sepse turisti 20-vjeçar u masakrua në hotelin e baronëve të krimit që mbrohen nga narkopolicia dhe Edi Rama.

Kujtojmë këtu këtë verë kryebotimin e saj, Albanian Files apo Librin e Kuq. Nuk bëhet fjalë për Librin e Kuq të Sulejmanit të Madhërishëm as të Karl Jungut, por për ‘Librin e Kuq’ të Sulltanit të Surrelit, i cili me 523 projekte dëshmon se e trajton Shqipërinë si çifligun e tij personal.

Këto janë 523 arsye për ta çuar Ramën në qeli dhe vetëm në qeli.

Dhe më e fundit, 500 milionë euro gjobë rrezikojnë shqiptarët të paguajnë për aeroportin e Vlorës pas ndërhyrjes së njëanshme që bën Rama dhe Lubi Balluku, të cilët mbrohen me 83 mandatet e krimit.

Kjo ishte vera që Edi Rama u ofroi shqiptarëve këtë vit. Zjarre, vrasje turistësh, qindra milionë euro të vjedhura.

Mirëpo, përveç këtyre, ishte edhe diçka tjetër këtë verë që Edi Ramën e rrënoi çdo ditë dhe e katandisi atë në pothuaj një hiç.

Dhe kjo ishte protesta madhështore qytetare e pandalur në tre muaj, ndonëse në temperaturat më të nxehta dhe terrorin e përgjithshëm politik. Në temperatura ku vera mund të skuqej në nxehtësinë e asfaltit, presione, kërcënime të egra dhe provokime të pandalura nga patronazhistët terroristë politikë, narkopolicia dhe kartelet qeveritare të drogës ndaj protestuesve paqësore.

Ndonëse në një lumë fyerjesh shtazore mediatike të nxjerra nga Ymer Çorapet dhe Frrok Çupërat, qytetarë të lirë, heronj të vërtetë, ditë për ditë kanë protestuar pa ndalim në një manifestim të admirueshëm të ADN-së shqiptare, të dinjitetit, të guximit, të qëndresës.

Për nga gjatësia, protesta e dytë më jetëgjatë pas asaj te Rruga e Shpresës, duke shënuar për nga madhësia absolutisht protestën më masive që Shqipëria ka parë ndonjëherë që nga vitet ’90 gjer sot.”, tha ai. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb Etiketa: Berisha