Kryeministri Edi Rama reagoi ndaj kërkesave të opozitës për të dhënë shpjegime mbi emërimin e Vlora Hysenit në krye të SHISH. Rama tha në një mesazh nga aeroporti “Nënë Tereza” se emërimi i Hysenit në drejtimin e Shërbimit Informativ të Shtetit ishte bërë edhe në bazë të vlerësimeve dhe referencave që, sipas tij, ajo kishte marrë nga partnerët ndërkombëtarë. Rama tha se e kishte vlerësuar punën e Hysenit dhe se ajo fillimisht kishte punuar pranë tij si këshilltare për sigurinë. Sipas kryeministrit, më pas ajo u emërua në krye të SHISH, bazuar në referencat që ai i cilësoi si “të shkëlqyera” nga partnerët ndërkombëtarë. “Vlora Hyseni ka hyrë në një borxh të madh moral me këtë vend”, deklaroi Rama.
