Një grup qytetarësh i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania për të denoncuar vendosjen prej vitesh të një kioske pranë Xhamisë së Shupenzës, Bulqizë.
Sipas tyre, kioska e gjelbër është vendosur në trotuar dhe pranë hyrjes së xhamisë, duke ngushtuar hapësirën publike dhe duke vështirësuar lëvizjen e këmbësorëve dhe hyrje-daljen e besimtarëve.
Qytetarët ngrenë shqetësimin edhe për faktin se pranë zonës ndodhen dy shkolla, ku çdo ditë grumbullohen nxënës, ndërsa në afërsi ndodhet edhe qendra shëndetësore dhe rruga përdoret nga ambulancat dhe mjetet e emergjencës.
Ata kërkojnë nga Bashkia Bulqizë dhe strukturat përgjegjëse që të verifikojnë ligjshmërinë e vendosjes së kioskes, statusin e hapësirës dhe lidhjen e saj me pronën e vakëfit.
“Trotuaret duhet t’u shërbejnë këmbësorëve dhe rrugët e emergjencës duhet të jenë të lira.”
Në fotografitë dhe videon e dërguar në redaksi shihet kioska e gjelbër pranë xhamisë, trotuari dhe rruga përreth, ndërsa pamjet tregojnë hapësirën e kufizuar në këtë zonë.
Qytetarët kërkojnë që, nëse konstatohen shkelje, institucionet të marrin masat administrative të parashikuara nga ligji, deri në largimin e kioskes.
JOQ Albania publikon denoncimin dhe pamjet e dërguara nga qytetarët, ndërsa mbetet në pritje të një reagimi nga Bashkia Bulqizë dhe strukturat përgjegjëse për statusin dhe përdorimin e kësaj hapësire. View this post on Instagram A post shared by JOQ News (@joqnews)

