Një 21-vjeçar është arrestuar nga Policia në Peshkopi, pasi dyshohet se ka kërcënuar pronarin e një biznesi për t’i marrë 50 milionë lekë.
Sipas të dhënave paraprake, kërcënimi ndaj biznesmenit Zija Shulku është bërë një ditë më parë përmes një kutie, në të cilën dyshohej se ndodhej një send me pamje të ngjashme me një lëndë plasëse. Krahas kutisë, pranë biznesit ishte lënë edhe një pako e dyshimtë.
Pas verifikimeve, Policia ka konstatuar se pakoja nuk përmbante lëndë plasëse. 21-vjeçari, i cili sipas hetimeve paraprake e njihte biznesmenin dhe djalin e tij, dyshohet se e ka vendosur pakon pranë biznesit dhe më pas është larguar nga vendi i ngjarjes. Për të shmangur identifikimin, ai dyshohet se ka ndërruar rrobat dhe është rikthyer më pas në zonën pranë biznesit.
Lëvizjet e tij të dyshimta kanë tërhequr vëmendjen e Policisë, e cila ka kryer verifikimet dhe ka bërë të mundur identifikimin e autorit të dyshuar dhe arrestimin e tij këtë të shtunë.
Paraprakisht dyshohet se 50 milionë lekët nuk janë kërkuar në para cash, por përmes Bitcoin.
Hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe zbardhjen e rrethanave të saj. Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo! *Fokus*KryesoreAktualitet

