Kryeministri Edi Rama, gjatë samitit të NATO-s që u mbajt në fillim të korrikut në Ankara ka dhënë një intervistë për influencerin dhe sipërmarrësin ukrainas, Max Klymenko.
Gjatë intervistës Rama është pyetur për ndihmën që po i jep Ukrainës, ku tha se Shqipëria ka bërë gjithccka ka mundur.
Një tjetër pyetje ishte se cili është kërcënimi më i madh për Shqipërinë.
Kreu i qeverisë në përgjigjen e tij u shpreh se kërcënimi janë vetë shqiptarët në kuptimin që sipas tij “duhet të jemi të vetëdijshëm se kemi shumë punë për të bërë dhe duhet të vazhdojmë në drejtimin drejt Bashkimit Evropian”.
Ndërkohë i pyetur se me cilin nga liderët ndërkombëtarë ka marrëdhënien më të mirë, Rama përmendi kryeministren italiane, Giorgia Meloni dhe sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte.
Intervista e plotë:
Max Klymenko: Kryeministri i Shqipërisë duhet të jetë në këtë dhomë. Kryeministri i Shqipërisë duhet të jetë në këtë dhomë. Nuk ka njeri këtu. Shqipëria ka një nga flamujt më të bukur që ekzistojnë. Oh, përshëndetje.
Edi Rama: Përshëndetje.
Max Klymenko: Si po ia kalon?
Edi Rama: Mirë.
Max Klymenko: Thjesht dua të të bëj disa pyetje, nëse është në rregull.
Edi Rama: Sigurisht.
Max Klymenko: Cila do të thoshe se është pjesa më e vështirë e punës tënde?
Edi Rama: Të mos çmendesh.
Max Klymenko: Dhe cila është pjesa jote e preferuar e punës?
Edi Rama: Gjërat që janë të mira për njerëzit.
Max Klymenko: Si po e ndihmon Shqipëria Ukrainën?
Edi Rama: Dëgjo, ne jemi përpjekur të bëjmë më të mirën tonë. Ne nuk jemi një vend i madh. Nuk jemi as një vend i pasur. Por kemi qenë pranë saj me gjithçka që kemi mundur.
Max Klymenko: Sipas mendimit tënd, cili është kërcënimi më i madh për Shqipërinë?
Edi Rama: Kërcënimi më i madh për Shqipërinë janë shqiptarët, në kuptimin që duhet të jemi të vetëdijshëm se kemi shumë punë për të bërë dhe duhet të vazhdojmë në drejtimin drejt Bashkimit Evropian. Dhe sapo të jemi brenda Bashkimit Evropian, do të jemi të sigurt edhe nga vetja jonë.
Max Klymenko: Puna juaj është puna e dytë në botë me më pak gjumë. Vetëm mjekët flenë më pak se politikanët. Sa gjumë bën zakonisht?
Edi Rama: Mesatarisht pesë orë, mund të jetë edhe më pak.
Max Klymenko: Me cilin nga liderët botërorë do të thoshe se ke marrëdhënien më të mirë? Dhe me cilin do të thoshe se ke marrëdhënien më sfiduese?
Edi Rama: Kam marrëdhënie të mira me të gjithë. Ndoshta marrëdhënia më e mirë është me Giorgian. Kemi gjithashtu një marrëdhënie të veçantë mes Shqipërisë dhe Italisë. Kam pasur një marrëdhënie shumë sfiduese me Mark Rutte kur ai ishte kryeministër i Holandës. Por më pas u bëmë miq shumë të mirë dhe kemi një miqësi të veçantë. Dhe ai është, pa diskutim, njeriu që di ta menaxhojë më mirë Donald Trump-in.
Max Klymenko: Sa profesione ke pasur në jetën tënde? Nëse mund të rendisësh disa nga gjërat që ke bërë.
Edi Rama: Kam qenë artist me kohë të plotë dhe më pas u bëra… A u bëra politikan? Shpresoj që jo. Por, përndryshe, kam bërë shumë gjëra. Kam luajtur basketboll, kam arritur deri në ekipin kombëtar, jo sepse isha shumë i mirë, por sepse isha i gjatë.
Max Klymenko: Je i lumtur për Knicks?
Edi Rama: Nuk e ndjek më basketbollin me fanellat e zeza jashtë fushës. Nuk është më i njëjti sport.
Max Klymenko: Dhe së fundi, e shoh që duhet të ikim. Së fundi, pyetja që u bëj është: çfarë këshille do t’i jepje një të riu sot?
Edi Rama: Dëgjo, kur isha fëmijë, isha gjithmonë shumë, shumë në siklet kur duhej të merrja këshilla. Dhe kur u bëra i ri, i premtova vetes se sapo të bëhesha i rritur, nuk do t’u jepja kurrë këshilla të rinjve. Nuk është ide e mirë. /CNA Lajme ekskluzive nga CNA
Doni te informoheni te paret per lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tone ne Facebook duke klikuar ketu.

