Presidenti rus Vladimir Putin ka lënë të hapur mundësinë që Moska të godasë objektiva ushtarake në Mbretërinë e Bashkuar, në një deklaratë që analisti Rosenberg e interpreton si pjesë të presionit psikologjik të Kremlinit ndaj Perëndimit. I pyetur në një konferencë për shtyp nëse Rusia mund të sulmonte objekte ushtarake britanike si kundërpërgjigje ndaj furnizimit të Ukrainës me armë nga Londra, Putin u përgjigj shkurt: “Ky është një sekret. Një sekret ushtarak.”
Sipas Rosenberg, përgjigjja nuk përbën as një “po” dhe as një “jo”, duke e lënë qëllimisht situatën të paqartë. Kjo, sipas tij, mund të jetë pjesë e strategjisë së Kremlinit për të mbajtur Britaninë në pasiguri dhe për ta bërë të mendojë dy herë për mbështetjen e saj ndaj Ukrainës.
Analisti e lidh këtë deklaratë me gjuhën gjithnjë e më kërcënuese që vjen nga Rusia ndaj vendeve perëndimore. Në të njëjtën konferencë, Putin i krahasoi vendet e Perëndimit me “peshkaqenë” dhe paralajmëroi se Rusia mund të kundërpërgjigjet nëse përpiqet të vihet nën presion.
“Nëse dikush përpiqet të na zvarritë poshtë zinxhirit ushqimor, të na gëlltisë ose të na përpijë, mund të grushtohet në dhëmbë”, deklaroi Putin.
Rosenberg thekson se këto deklarata nuk janë prova se Rusia do të përdorë raketa kundër objektivave në territorin britanik. Megjithatë, ai ngre shqetësimin se Moska mund të intensifikojë forma të tjera presioni dhe “operacionesh hibride” ndaj vendeve evropiane.
Në këtë kuadër, ai përmend Gjermaninë, e cila ka akuzuar Rusinë për përgjegjësi në një sulm me dron ndaj aeroportit të Leipzigut. Ministri i Brendshëm gjerman Alexander Dobrindt e ka përshkruar situatën si pjesë të një modeli të konsoliduar të operacioneve hibride ruse në Evropë. Kremlini i ka hedhur poshtë akuzat.
Sipas Rosenberg, pyetja që shtrohet tashmë është nëse operacione të ngjashme mund të intensifikohen edhe në Mbretërinë e Bashkuar.
Konferenca për shtyp e zhvilluar në Bishkek të Kirgistanit ofroi gjithashtu një pasqyrë të qëndrimit të Putinit ndaj luftës në Ukrainë dhe përplasjes me Perëndimin. Për rreth 45 minuta, presidenti rus u shfaq luftarak dhe i sigurt për fitoren, pavarësisht humbjeve të mëdha ruse në fushën e betejës dhe presionit mbi ekonominë e vendit.
“Nuk kam asnjë dyshim se armiku do të shkatërrohet”, deklaroi Putin, ndërsa lufta në Ukrainë ka hyrë në vitin e saj të pestë dhe Kievi vijon rezistencën. Top Channel

