Lajme Zone
Këlliçi në CNA TV/ Beteja e opozitës, aferat e bashkisë Tiranë dhe skenarët e rinj politikë
PolitikëCNA

Këlliçi në CNA TV/ Beteja e opozitës, aferat e bashkisë Tiranë dhe skenarët e rinj politikë

Nënkryetari i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, në një ...

Nënkryetari i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, në një intervistë për gazetarin Elvi F në CNA TV ka komentuar ngjarjet më të nxehta të aktualitetit, duke filluar nga arrestimet e fundit, çështjet e korrupsionit, e deri te lëvizjet e mundshme brenda kabinetit qeveritar dhe aferat në bashkinë e Tiranës.

Këlliçi u ndal te procesi i ripërtëritjes së strukturave të Partisë Demokratike dhe vizioni i opozitës, duke theksuar rëndësinë e kontributit dhe punës në politikë.

Nënkryetari i PD-së ka ironizuar nismat e fundit të kabinetit qeveritar, si Besa dhe Pasqyrë Albania duke i quajtur akt cinik përballë realitetit.

Këlliçi komentoi arrestimin e Ergys Agasit dhe lëvizjet e pritshme në qeveri, duke përmendur edhe ndikimin e Belinda Ballukut. “Jo, nuk ka arsye të ketë ndryshime qeverie. Të gjithë janë anonimë. Ky ministri i Brendshëm, ka ndonjë qëndrim për Ergys Agasin? E njeh ky? Aty vetëm një njeri e përmend Ergys Agasin, Belinda Balluku”, tha Këlliçi. Ndërsa u ndal te arrestimi i kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, Këlliçi u shpreh se kjo erdhi si pasojë e denoncimeve të opozitës, por edhe e vullnetit të vetë kryeministrit Edi Rama për ta goditur kryebashkiakun. “CNA ka pasqyruar të gjitha aferat e Bashkisë së Tiranës. Pak ishin mediat dhe portalet, CNA ishte ndër të paktat. Duke filluar që nga historia e inceneratorëve, duke u fokusuar tek inceneratori i Tiranës, që është një megaaferë që vijon edhe ditën e sotme. Nuk them se ishte vetëm aksioni ynë që çoi Erion Veliajn aty ku shkoi juridikisht dhe politikisht. Ka qenë vullneti i pakursyer i Ramës për ta goditur Veliajn, një njeri që u fuqizua shumë dhe u mbajt me paratë e buxhetit të shtetit dhe qytetarëve të Tiranës, bleu influenca shumë të mëdha. Shpeshherë konsiderohej si njeri i më i afërt me Soros-in sesa Rama”, deklaroi Këlliçi. Këlliçi ka ngritur akuza ndaj SPAK, duke u ndalur konkretisht te veprimtaria e prokurorit Dritan Prençi për dosjen e inceneratorëve. “Dritan Prençi nuk ka bërë detyrën për inceneratorin e Tiranës. Unë jam një ndër ata politikanë, ndoshta i vetmi, që kam denoncuar takimet e tij me rrethin e ngushtë të Veliajt, por edhe me Veliajn në zonat periferike të Tiranës, për të mbyllur dosjen e inceneratorit të Tiranës. Fakti që nuk i shkohet deri në fund është një njollë e zezë mbi SPAK-un”,tha Këlliçi. Ai foli edhe për emrin që do të mbështeste në garën për bashkinë e Tiranës, ndërsa iu përgjigj edhe pyetjes nëse mund të ishte një kandidat i mundshëm. “Siç nuk më ka thënë Doktori (Sali Berisha) herën e parë që duhet të kandidoja unë për Bashkinë Tiranë, sërish do të besoja tek intuita dhe instinkti, thirrja që do të më vinte nga bashkëpunëtorë dhe qytetarë. Nuk do të jem pjesë e garës”,u shpreh Këlliçi. Një koment e bëri edhe për ministrat e qeverisë Rama, përfshirë ministrin Blendi Gonxhe, si dhe për zërat kundër në Partinë Socialiste si ai i Elisa Spiropalit. “Mbahet mend në politikë me epitetin e famshëm 'zonja 5 milionë dollarë'. Unë gjykoj se nuk është momenti për të harxhuar kohën dhe për t’u marrë me faktorë të tjerë brenda PS-së. Ajo që ka bërë është vetëm faktorizimi i saj brenda PS-së. Aleancë do të bënim me çdo socialist të ndershëm dhe Elisa nuk është, që është kundër Ramës”, tha Këlliçi. Sa i takon protestave të ndërmarra në vend, Këlliçi e cilësoi ngjarjen e Zvërnecit si pikën që derdhi kupën e arrogancës dhe keqpërdorimit të fondeve publike. “Qëndrimi ka qenë i qartë që në fillim, kemi qenë dhe jemi pro investimeve të huaja në Shqipëri. Sidomos kur është kapital amerikan. Ka pasur një qasje shumë të qartë opozita. Nuk ka sot një shqiptar që nuk e di se një pjesë e tokës në Zvërnec është në një konflikt pronësie prej vitesh. Do të duhet të kishte një diskutim të gjerë dhe dëgjesa me publikun, me grupet e interesit. Mungesa e transparencës, dhunimi i qytetarëve dhe pronarëve, kur policia nuk reagon kemi një ngjarje që nuk mund të anashkalohet. Ngjarja në Zvërnec ka qenë pika që derdhi kupën e 13 viteve arrogancë, keqpërdorim i fondeve publike”, tha Këlliçi. Në përfundim, Këlliçi sqaroi edhe çështjen e fotos me Presidentin Donald Trump dhe nëse ka paguar për të. “Ma nxorën dhe kukull dylli. E kam thënë me përgjegjësinë më të madhe, kjo foto kushtoi zero lekë, s'e kam fare kompleks. Një privilegj”, deklaroi Këlliçi. Këlliçi theksoi se opozita do të vijojë betejën frontale kundër qeverisë dhe aferave korruptive, duke e parë ripërtëritjen e partisë dhe angazhimin qytetar si çelësin e ndryshimit të ardhshëm politik./ CNA Lajme ekskluzive nga CNA

Doni te informoheni te paret per lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tone ne Facebook duke klikuar ketu.