Kreu i PD, Sali Berisha ka hedhur akuza të forta ndaj qeverisë lidhur me nismën për centralizimin, sipas tij, të sistemit të barnave dhe shërbimeve shëndetësore. Gjatë një bashkëbisedimi me qytetarët, Berisha deklaroi se pas krijimit të një ndërmarrjeje shtetërore për tregtinë e ilaçeve, ajo sipas tij do t’i kalojë një biznesmeni të lidhur me kryeministrin Edi Rama. “Një Yfet tjetër është bërë gati. Është bërë gati që pasi të krijohet ndërmarrja shtetërore, të privatizohet dhe t’i kalojë një Yfeti tjetër”, u shpreh Berisha. Ai pretendoi se synimi përfundimtar është që Rama dhe biznesmeni, të cilin e cilësoi si “Yfeti tjetër”, të ndajnë qindra milionë euro nga tregtia e ilaçeve.
Berisha e krahasoi gjithashtu nismën me rastin e kompanisë KAYO dhe akuzoi qeverinë për përpjekje për monopolizimin e tregut të barnave. “Sipërmarrja e KAYO-s është një sipërmarrje jashtëzakonisht problematike, e trafiqeve ndërkombëtare të armëve, e punëve, por cilat Partia Demokratike do bëjë gjithçka në rrafshin kombëtar dhe ndërkombëtar, për hir të sigurisë së këtij vendi, po dhe të partnerëve tanë, ta zbërthejë ashtu siç është, ta paraqesë të vërtetën e saj ashtu siç është”, tha ai.
Pjesë nga bashkëbisedimi
Bulent Tupi: Doktor, çfarë mendimi keni për nismën e re të Ministrisë së Shëndetësisë për centralizimin e sistemit shëndetësor dhe monopolizimin e çdo shërbimi dhe barne në treg? Ky rast duket identik si rasti me shoqërinë KAYO, aty ku Edi Rama ia kaloi shumicën e kuotave një miku të tij izraelit, Roni Yefet, person që aktualisht është në gjykatë për mashtrim në Florida. Ministrja Sala nuk ka bërë ende asnjë reagim për këtë çështje dhe mendoj se PD-ja duhet të kërkojë tërheqjen e menjëhershme të saj.
Sali Berisha: Faleminderit për pyetjen. Është absolutisht vendimi i Edi Ramës që të përfitojë familjarisht qindra e qindra milionë euro nga tregtia me ilaçet.
Hapi i parë, po marrim vetë aktin e shtetëzimit të tregtisë së ilaçeve. Rikthimit të saj në kushtet e diktaturës hoxhiste, sistem të tillë sot s’ka as Bjellorusia, e ka vetëm Koreja e Veriut.
Por, dhe me kaq, Edi Rama ka me borxh që në çdo tender, në çdo veprim 20-25% t’i kalojnë atij. Po jo, nuk është kështu, është pak më tutje. Është ajo që thoni ju.
Një Yfet tjetër është bërë gati, u them unë, do e shifni dhe ne po e ndjekim. Është bërë gati që pasi të krijohet ndërmarrja shtetërore, të primavizohet dhe ti kalojë një Yfeti tjetër.
Një trafikant ndërkombëtar, mashtron shqiptarët dhe botën se Shqipëria, prodhoka automjete të blinduara të cilësisë së lartë, në një kohë kur ndërmarrja e tij ka 11 punëtorë.
I them këtij zotërie se punët e pista që të ka ngarkuar qeveria, janë akte të shëmtuara kriminale. Dhe tani është gjetur dhe Yfeti tjetër dhe të garantoj që fill pas saj do dalë dhe ai, po me lidhje me Edi Ramën, në mënyrë që pastaj të fshihen të gjitha magazinat e Afrikës, Azisë e të tjerë e të tjerë dhe shqiptarëve t’u jepen ilaçe jashtë çdo lloj standardi, Edi Rama bashkë me atë Yfetin tjetër të ndajnë qindra milionë euro.
Kjo është e tëra. Asnjë arsye tjetër nuk ka, dhe ju e keni kap bukur, sipërmarrja e KAYO-s është një sipërmarrje jashtëzakonisht problematike, e trafiqeve ndërkombëtare të armëve, e punëve, por cilat Partia Demokratike do bëjë gjithçka në rrafshin kombëtar dhe ndërkombëtar, për hir të sigurisë së këtij vendi, po dhe të partnerëve tanë, ta zbërthejë ashtu siç është, ta paraqesë të vërtetën e saj ashtu siç është. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
