Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka denoncuar ngritjen nga qeveria të një sistemi institucionesh dhe korporatash shtetërore që, sipas saj, funksionojnë jashtë standardeve të transparencës, konkurrencës dhe llogaridhënies. Në “Këndin e Fundjavës”, Tabaku analizoi tri prej këtyre strukturave – kompaninë shtetërore KAYO, Bankën Shqiptare të Zhvillimit dhe Korporatën e Investimeve Shqiptare – duke i cilësuar ato si pjesë të një “arkipelagu paligjshmërie”, të ndërtuar gjatë 13 viteve të qeverisjes së Edi Ramës. Sipas Tabakut, këto struktura mund të duken të largëta nga shqetësimet e përditshme të qytetarëve, por mënyra se si ato përdorin fondet dhe pasuritë publike ndikon drejtpërdrejt te çmimet, taksat, cilësia e shërbimeve dhe kostoja e jetesës. “Paratë janë publike. Pasuritë janë publike. Rreziku është publik. Ndërsa vendimmarrja përqendrohet në pak duar dhe kontrolli dobësohet. Ky është thelbi i problemit. Dhe kjo është ekonomia e pakicës, faturën e së cilës e paguan shumica”, deklaroi Tabaku. Në qendër të analizës së saj ishte KAYO, shoqëria shtetërore e krijuar për industrinë e mbrojtjes, e cila në një periudhë të shkurtër është përfshirë në një sërë shoqërish të përbashkëta me kompani private. Tabaku ngriti pikëpyetje mbi mënyrën e përzgjedhjes së partnerëve privatë, konkurrencën, vlerësimin e përvojës së tyre, kontrollin e kostove, konfliktin e interesit dhe publikimin e kontratave e të pronarëve përfitues. “Si u përzgjodh secili partner? Çfarë gare u zhvillua? Si u vlerësua përvoja e tyre? Kush i kontrollon kostot? Kush verifikon konfliktin e interesit? Ku publikohen kontratat dhe përfituesit frë? Çfarë përgjegjësie mban bordi për çdo euro të shpenzuar?”, pyeti deputetja demokrate. Sipas saj, përdorimi i argumentit të sigurisë kombëtare nuk mund të shërbejë si mburojë për mungesën e transparencës financiare. Ajo bëri të qartë se opozita nuk kundërshton zhvillimin e industrisë shqiptare të mbrojtjes, por modelin që u kalon fitimet privatëve dhe rrezikun qytetarëve. Sipas saj, qeveria është njëkohësisht aksionare, emëron drejtuesit, përcakton prioritetet dhe merr raportimin, ndërsa mungon një kontroll plotësisht i pavarur. “Një bankë zhvillimi mund të jetë motor për sipërmarrjen; por, pa filtra profesionalë, mund të kthehet në sportel për klientët politikë. Mund të financojë fermerin që prodhon, ose mikun që telefonon. Mund të ndihmojë biznesin me ide, ose biznesin me lidhje”, paralajmëroi Tabaku. Ajo kërkoi transparencë për kreditë e mëdha, garancitë shtetërore, përfituesit dhe çdo ekspozim të mundshëm të buxhetit, duke nënvizuar se “zhvillimi nuk ka frikë nga transparenca. Vetëm favori ka frikë prej saj”. REAGIMI Arkipelagu i paligjshmërisë
Në këtë kënd të fundjavës dua të flasim për diçka që, në pamje të parë, duket larg jetës sonë të përditshme: për agjenci, korporata dhe shoqëri shtetërore me emra të mëdhenj, borde, drejtorë dhe statute. Por, në të vërtetë, kjo temë është shumë pranë çdo familjeje shqiptare, sepse lidhet me faturën që paguajmë në fund të muajit, me çmimin e ushqimeve, me librat dhe mjetet e shkollës së fëmijëve, me pagën që nuk mjafton, me taksat që paguajmë dhe shërbimet që nuk marrim. Në hartën e Shqipërisë është krijuar një realitet i ri ekonomik: disa institucione që duken si ishuj të veçuar, por që, kur i shikon së bashku, formojnë një arkipelag të tërë paligjshmërie, mungese transparence dhe pushteti të pakontrolluar. Një ishull quhet KAYO. Një tjetër quhet Banka Shqiptare e Zhvillimit. Një tjetër quhet Korporata e Investimeve Shqiptare. Emrat ndryshojnë, fushat ndryshojnë, por modeli mbetet i njëjtë: paratë janë publike, pasuritë janë publike, rreziku është publik, ndërsa vendimmarrja përqendrohet në pak duar dhe kontrolli dobësohet. Ky është thelbi i problemit dhe kjo është ekonomia e pakicës, faturën e së cilës e paguan shumica.
Ky sistem nuk u ngrit brenda një nate. Ai u ndërtua hap pas hapi gjatë këtyre trembëdhjetë viteve. Filloi me mikromenaxhimin e tenderëve, koncesioneve dhe partneriteteve publike-private. Nga blerjet më të vogla deri te kontratat më të mëdha në shëndetësi, energji apo trajtimin e mbetjeve, u konsolidua ideja se nuk mjafton të kesh ofertën më të mirë; duhet të jesh pranë pushtetit. Sipërmarrësi i ndershëm filloi të kuptonte se puna, ideja dhe investimi nuk mjaftojnë kur rezultati vendoset nga lidhja politike. Më pas sistemi evoluoi. Nuk mjaftonte më kontrolli i një tenderi. U krijuan struktura të posaçme, me ligje të posaçme dhe përjashtime të posaçme. Ishuj ku rregullat e zakonshme të shtetit zbatohen pjesërisht, ku Parlamenti sheh më pak, publiku di më pak dhe qeveria vendos më shumë. Sot nuk kemi përballë vetëm raste të veçuara. Kemi një arkitekturë.
Le ta shohim ishullin e parë: KAYO-n. KAYO u krijua si shoqëri shtetërore dhe, në një kohë shumë të shkurtër, u bë pjesë e një vargu shoqërish të përbashkëta me kompani private. Këto partneritete prekin prodhimin e mjeteve, uniformave, municioneve dhe teknologjive ushtarake. Pra, kemi fonde publike, prona shtetërore, kontrata në një sektor strategjik dhe partnerë privatë. Atëherë pyetjet janë të pashmangshme: Si u përzgjodh secili partner? Çfarë gare u zhvillua? Si u vlerësua përvoja e tyre? Kush i kontrollon kostot? Kush verifikon konfliktin e interesit? Ku publikohen kontratat dhe përfituesit frë? Çfarë përgjegjësie mban bordi për çdo euro të shpenzuar? Këto pyetje nuk e dëmtojnë sigurinë kombëtare. Përkundrazi, e mbrojnë atë. Sekreti shtetëror nuk mund të kthehet në sekret financiar. Siguria nuk mund të përdoret si perde për të fshehur mënyrën se si shpenzohen paratë e qytetarëve. Ne nuk kundërshtojmë prodhimin shqiptar. Ne kundërshtojmë privatizimin e përfitimit dhe shtetëzimin e rrezikut. Kundërshtojmë një model ku privati merr kontratën, ndërsa qytetari mban faturën nëse projekti dështon.
Ishulli i dytë është Banka Shqiptare e Zhvillimit. Edhe këtu duhet të jemi të qartë: Shqipëria ka nevojë për më shumë financim për bujqësinë, ndërmarrjet e vogla dhe sektorët që bankat tregtare i mbështesin pak. Ideja e një banke zhvillimi, në vetvete, nuk është e gabuar. Problemi është se kush e kontrollon, si i zgjedh përfituesit dhe kush paguan kur kreditë nuk kthehen. Ligji parashikon auditim të jashtëm dhe një rol të Bankës së Shqipërisë për mbikëqyrjen e produkteve të kursimit të mbledhura përmes një entiteti të Postës Shqiptare, si edhe për raportimin statistikor. Por kjo nuk është e njëjta gjë me mbikëqyrjen e plotë dhe të zakonshme që ushtrohet mbi një bankë tregtare. Pra, qeveria është aksionare, qeveria zgjedh drejtimin, qeveria përcakton prioritetet dhe raporti i shkon sërish qeverisë. Pikërisht këtu lind nevoja për një kontroll realisht të pavarur, sepse një bankë zhvillimi mund të jetë motor për sipërmarrjen, por, pa filtra profesionalë, mund të kthehet në sportel për klientët politikë. Mund të financojë fermerin që prodhon ose mikun që telefonon. Mund të ndihmojë biznesin me ide ose biznesin me lidhje. Prandaj kërkojmë që çdo kredi e madhe, çdo garanci shtetërore, çdo përfitues dhe çdo ekspozim fiskal të jenë të kontrollueshme dhe, kur nuk ka pengesë ligjore, publike. Zhvillimi nuk ka frikë nga transparenca. Vetëm favori ka frikë prej saj.
Ishulli i tretë është Korporata e Investimeve Shqiptare. Këtu kontrasti është tronditës. Një bashki, një shkollë apo një institucion nuk mund të blejë as një kuti stilolapsash pa procedurë. Por, kur flasim për toka, godina dhe asete publike me vlerë miliona euro, standardi bëhet më i mjegullt. Pasuritë i transferohen një korporate dhe vendimmarrja përqendrohet në një strukturë shumë më pak të dukshme për qytetarin. Pyetja është e thjeshtë: Pse sa më e madhe vlera, aq më e vogël transparenca? Kontrolli i Lartë i Shtetit, në auditimin e tij, ka evidentuar planifikim të pamjaftueshëm, mungesë metodologjish të standardizuara për përzgjedhjen dhe menaxhimin e projekteve, analiza të paplota të rrezikut dhe përfitueshmërisë, si edhe një hua prej 2 miliardë lekësh që nuk u shlye brenda afatit fillestar. Këto nuk janë etiketime politike. Janë gjetje që kërkojnë përgjigje. Sa projekte janë realizuar? Sa vende pune të qëndrueshme janë krijuar? Sa të ardhura ka marrë shteti? Si janë vlerësuar pronat publike? Kush mban përgjegjësi kur paguhen konsulenca, por projekti nuk ecën? Ku është analiza që provon se qytetari fiton më shumë sesa humbet?
Edhe projekti “Durana Tech Park” duhet parë me këtë standard. Inovacioni është i domosdoshëm. Lehtësitë fiskale mund të kenë kuptim kur sjellin investime të reja, teknologji dhe punësim cilësor. Por, kur kompanitë marrin privilegje fiskale, qytetarët kanë të drejtë të dinë kriteret, koston për buxhetin dhe rezultatin real në terren. Këta tre ishuj nuk janë të shkëputur. Ata lidhen nga të njëjtat ura: ligje të posaçme, vendimmarrje e përqendruar, kufizim i garës, kontroll i pamjaftueshëm dhe rrezik që përfn te taksapaguesi. Dhe kjo është arsyeja pse kjo temë prek drejtpërdrejt koston e jetesës. Kur shteti zgjedh favorin dhe jo garën, paguan më shumë për të njëjtin mall apo shërbim. Kur biznesi pa lidhje përjashtohet, tregu humbet operatorë dhe konkurrenca dobësohet. Kur ndërmarrja shtetërore ka tokë falas, garanci publike dhe kontrata nga shteti, sipërmarrësi privat nuk konkurron më në kushte të barabarta.
Korrupsioni nuk është një koncept abstrakt. Korrupsioni është taksë e fshehtë mbi çdo familje. E paguajmë te çmimi, te shërbimi i munguar dhe te mundësia e humbur. Kjo është arsyeja pse një ekonomi mund të rritet në statistika, ndërsa familja ndihet më e varfër. Çfarë duhet bërë? Së pari, çdo kontratë, partneritet dhe transferim i pasurisë publike duhet të bëhet publik, së bashku me kriteret e përzgjedhjes, vlerësimin ekonomik dhe përfituesit frë. Së dyti, çdo shoqëri shtetërore që përdor fonde, prona apo garanci publike duhet t’i nënshtrohet kontrollit të plotë të Kuvendit, Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe institucioneve të tjera të pavarura. Së treti, bordet dhe drejtuesit duhet të mbajnë përgjegjësi personale për çdo vendim, çdo kontratë dhe çdo euro të shpenzuar. Së katërti, duhet të rikthehet konkurrenca reale dhe e barabartë. Sipërmarrësi duhet të fitojë nga puna, ideja dhe aftësia, jo nga lidhja me pushtetin.
Ne nuk mund të ndërtojmë një ekonomi të fortë mbi ishuj përjashtimesh. Nuk mund të kemi një ligj për qytetarin dhe një tjetër për të privilegjuarin. Nuk mund të kërkojmë nga biznesi i vogël çdo faturë dhe çdo dokument, ndërsa miliarda euro kalojnë në struktura ku transparenca është minimale. Nuk mund të flasim për integrim europian, ndërsa krijojmë institucione që largohen nga standardet europiane të konkurrencës, kontrollit dhe llogaridhënies. Shqipëria ka nevojë për institucione që i shërbejnë publikut, jo për struktura që mbrojnë pushtetin. Ka nevojë për një ekonomi që shpërblen punën, jo afërsinë politike. Ka nevojë për një shtet që mbron taksapaguesin, jo një shtet që i kalon atij faturën e dështimeve dhe abuzimeve.
Këta tre ishuj janë vetëm pjesë e një arkipelagu shumë më të madh. Një arkipelag i ngritur mbi ligje të posaçme, kontrata të mbyllura, favore dhe mungesë kontrolli. Një arkipelag që po dëmton konkurrencën, po dobëson ekonominë dhe po rëndon jetën e çdo familjeje shqiptare. Ky sistem nuk ndryshon duke larguar disa njerëz dhe duke sjellë disa të tjerë. Duhet të ndryshojë vetë mënyra e qeverisjes. Synimi ynë nuk është zëvendësimi i një grupi me një tjetër, por qeverisja për Shqipërinë dhe për qytetarët e saj. Ky sistem duhet ndryshuar. Jo për të zëvendësuar klientët e një partie me klientët e një partie tjetër, por për t’i dhënë fund vetë klientelizmit. Jo për të ndërruar emrat mbi zyra, por për të ndryshuar rregullat brenda tyre.
Shqiptarët meritojnë një shtet që jep llogari. Meritojnë një ekonomi që punon për shumicën dhe jo për pakicën. Meritojnë që taksat e tyre të përdoren për shkolla, spitale, rrugë dhe shërbime, jo për struktura të mbyllura dhe interesa të privilegjuara. Ne do të luftojmë për ta zhbërë këtë arkipelag pandëshkueshmërie dhe për të ndërtuar një kontinent ligjsh të barabarta, institucionesh të kontrolluara dhe mundësish për të gjithë. Sepse Shqipëria nuk është pronë e pushtetit. Shqipëria është e qytetarëve të saj. Dhe ekonomia e saj duhet të punojë për shumicën, jo për pakicën. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb Etiketa: Deputetja e Partisë Demokratike Jorida Tabaku
