Një ngjarje e rëndë dhe e paprecedentë dhune në familje është regjistruar mesditën e sotme në zonën e Kasharit. Pamjet e një skene tronditëse kanë mbërritur në redaksinë e JOQ Albania, ku një burrë rreth të 40-ave shihet duke ushtruar dhunë fizike brutale ndaj nënës së tij dhe bashkëshortes, në prani të një fëmije të mitur.
Në pamjet e siguruara shihet qartë se si autori, pasi zbret nga një automjet me targa të huaja, afrohet dhe godet fillimisht nënën e tij në kokë. Më pas, ai vërtitet drejt vajzës së mitur dhe bashkëshortes, të cilës i shkul flokët dhe e godet vazhdimisht. Pavarësisht se nëna përpiqet t’i ndajë dhe fëmija qan e bërtet i tmerruar në mes të rrugës, burri nuk ndalet së dhunuari gruan.
Ngjarja ka ndodhur në mes të ditës në një aks me fluks të lartë lëvizje dhe për momentin, shkaqet e këtij akti skandaloz mbeten ende të paqarta.
JOQ Albania i bën thirrje urgjente Policisë së Shtetit dhe autoriteteve përkatëse që të reagojnë menjëherë, të identifikojnë dhe të arrestojnë autorin e kësaj dhune çnjerëzore, i cili rrezikon sigurinë e familjarëve të tij dhe të shoqërisë!
Kashar/Vajza e vogël qan dhe bërtet, burri rreh nënën dhe i shkul flokët gruas së tij pic.twitter.com/vwc6RE5baT— JOQ Albania (@JoqAlbania) September 9, 2026

