Dy të rinj janë arrestuar në Shkodër, pasi u kapën në flagrancë duke transportuar kundrejt pagesës 15 emigrantë nga vendet e Afrikës, të cilët dyshohet se synonin të kalonin ilegalisht kufirin drejt Malit të Zi. Operacioni i koduar “Halfway” u finalizua nga shërbimet e Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Shkodër, në kuadër të kontrolleve për parandalimin dhe goditjen e rasteve të dhënies së ndihmës emigrantëve për kalim të paligjshëm të kufirit. Në pranga ranë shtetasit E. A., 22 vjeç, dhe M. F., 19 vjeç, të dy banues në Fushë-Arrëz. Sipas Policisë, dy të rinjtë u ndaluan në fshatin Vukpalaj, pranë kufirit me Malin e Zi, teksa po transportonin me një automjet tip furgon 15 emigrantë afrikanë.
Furgoni u sekuestrua në cilësinë e provës materiale. Njoftimi i Policisë:
DVKM Shkodër/Finalizohet operacioni i koduar “Halfway”, goditet një rast i dhënies ndihmë emigrantëve, për kalim të paligjshëm të kufirit.
Arrestohen 2 shtetas të cilët u kapën në flagrancë nga shërbimet e Policisë Kufitare, duke transportuar me furgon, kundrejt pagesës, 15 shtetas afrikanë që synonin të kalonin ilegalisht në Malin e Zi.
Sekuestrohet automjeti.
Shërbimet e Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Shkodër, në vijim të kontrolleve intensive për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale të dhënies ndihmë emigantëve, për kalim të paligjshëm të kufirit, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, organizuan dhe finalizuan operacionin e koduar “Halfway”.
Si rezultat i operacionit, u arrestuan shtetasit E. A., 22 vjeç dhe M. F., 19 vjeç, të dy banues në Fushë-Arrëz.
Këta shtetas u kapën në flagrancë nga shërbimet e Policisë Kufitare, në fshatin Vukpalaj, afër kufirit me Malin e Zi, duke transportuar me një automjet furgon, 15 emigantë nga vende të Afrikës që synonin të kalonin në mënyrë të paligjshme në territorin e Malit të Zi.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

