Një trazirë e dhunshme ka shpërthyer në burgun Piazza Lanza, në qytetin e Katanias, Siçili, ku qindra të dënuar janë përfshirë në një revoltë që ka vënë në alarm autoritetet italiane.
Sipas informacioneve paraprake, rreth 400 nga 422 të burgosurit që ndodhen në këtë institucion penitenciar dyshohet se kanë marrë pjesë në trazirë, duke marrë nën kontroll dy reparte të burgut.
Gjatë ndërhyrjes për të rikthyer rendin, pesë oficerë të policisë së burgjeve kanë mbetur të plagosur. Ata janë transportuar në spital për të marrë ndihmën mjekësore, ndërsa deri më tani nuk janë bërë publike detaje mbi gjendjen e tyre shëndetësore.
Menjëherë pas shpërthimit të revoltës, zona përreth burgut u rrethua nga forca të shumta policie dhe karabinierësh. Autoritetet italiane kanë nisur negociatat me të burgosurit, me synimin për t'i dhënë fund situatës pa përshkallëzim të mëtejshëm.
Deri në këto momente nuk janë bërë të ditura shkaqet që çuan në shpërthimin e trazirave, ndërsa autoritetet nuk kanë konfirmuar ende se cilat reparte vijojnë të jenë nën kontrollin e të burgosurve.
Presidenti kombëtar i sindikatës Consipe, Mimmo Nicotra, shprehu solidaritetin me oficerët e plagosur dhe deklaroi se ngjarja nuk ishte e papritur. "Para së gjithash, shpreh solidaritetin dhe mbështetjen time për kolegët e plagosur, të cilët janë dërguar në spital. Ajo që po ndodh në Piazza Lanza nuk është një ngjarje e papritur, por pasojë e një katastrofe të paralajmëruar prej kohësh.", u shpreh Nicotra. Autoritetet italiane vijojnë operacionin për rikthimin e kontrollit të plotë në burg, ndërsa hetimet për zbardhjen e shkaqeve të revoltës janë në zhvillim.

