Aktivisti Ilir Xhamalaj, gjatë protestës së zhvilluar në Tiranë, u bëri thirrje qytetarëve që të mblidhen sa më shumë ditën e enjte para Kuvendit, ndërsa kërkoi dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. “113 ditë sot protestë, pavarësisht problematikave, jemi të gjithë bashkë sepse na bashkon dorëheqja e Ramës. Ai sot kishte paguar një shkrim në një media të huaj ku thoshte se të protestosh është demokraci. Jo, demokraci është kur ti dëgjon popullin dhe jep dorëheqjen. Nuk jemi në shesh vetëm për ligjet, por për dorëheqjen tënde”, deklaroi Xhamalaj. Ai u ndal edhe te protesta e paralajmëruar për të enjten, duke kërkuar pjesëmarrje sa më të madhe para Kuvendit. “Të enjten të jemi sa më shumë para Kuvendit e të luftojmë t’i rrëzojmë. Ndryshe do të na rrëzojnë ata ne dhe ne duhet të largohemi”, u shpreh aktivisti. Në vijim, Xhamalaj kritikoi edhe raportet e Shqipërisë me Bashkimin Evropian, duke hedhur një ide për një tjetër orientim ndërkombëtar.
“BE po na e shet sapunin për djathë. Me këta që janë sot nuk kemi të ardhme. Duan të bëjnë shtet të asociuar Kanadanë, edhe ne të bëjmë kërkesë të jemi shtet i asociuar me SHBA”, deklaroi ai. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
