Pamjet e kamerave të sigurisë kanë regjistruar momentin dramatik kur një tren me shpejtësi të lartë përplaset me një rimorkio, pasi drejtuesi i një kamioni mbeti i bllokuar në shina në Gdansk të Polonisë, të enjten, më 3 shtator.
Pamjet, të publikuara nga kompania polake e hekurudhave Polish Railway Lines SA, tregojnë se barrierat e kalimit hekurudhor pranë stacionit Gdansk Lipce ishin të hapura, ndërsa kamioni kishte nisur të kalonte mbi shina. Megjithatë, vetëm pak çaste më vonë, barrierat filluan të uleshin sërish.
Drejtuesi i kamionit ndaloi në mes të shinave, ndërsa drejtues të tjerë të automjeteve pranë vendngjarjes i bënë thirrje që të përplaste barrierat dhe të largohej menjëherë, për shkak të trenit që po afrohej.
Sekonda më vonë, pasi kamioni nisi të lëvizte ngadalë përpara, treni i kompanisë PKP Intercity u përplas me forcë me rimorkion. Përplasja e fuqishme e shkatërroi rimorkion dhe bëri që mbetjet e saj të shpërndaheshin në të gjithë zonën.
Sipas burimit, drejtuesi i trenit u dërgua në spital, ndërsa drejtuesi i kamionit dhe pasagjerët e trenit nuk pësuan lëndime.
Polish Railway Lines SA e publikoi videon edhe si një paralajmërim për drejtuesit e automjeteve, duke theksuar se në rast se një automjet ngec mes barrierave të një kalimi hekurudhor, nuk duhet pritur ardhja e trenit.
“Thyeni barrierën dhe largohuni menjëherë nga kalimi hekurudhor”, ishte këshilla e kompanisë.

