Grupi parlamentar i Partisë Demokratike ka njoftuar këtë të hënë se ka kallëzuar në SPAK kryeministrin Edi Rama dhe ministrin e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Goxhja.
Kallëzimi lidhet me financimin 4.2 milionë euro të koncertit të zhvilluar në Tiranë të reperit amerikan Kanye West. "Nga sa më sipër, është e qartë se shtetasi Edi Rama, me detyrë Kryeministër i Shqipërisë, dhe shtetasi Blendi Gonxhja, me detyrë Ministër i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë vepruar në kundërshtim me ligjin sa i përket shfrytëzimit të fondit rezervë për të mbështetur një aktivitet muzikor privat, duke dëmtuar interesat e ligjshme të shtetit, e në këtë kuptim veprimet e tyre përmbushin elementin e anës objektive të veprës penale të ‘Shpërdorimit të detyrës’, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal. Nga ana tjetër, të dy këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë shkelur rregullat sa i përket lirisë së pjesëmarrjes dhe realizimit të barazisë së shtetasve në tendera publik, me qëllim krijimin e avantazheve dhe privilegjeve të padrejta për një operatori ekonomik të caktuar, duke përmbushur kështu elementin e anës objektive të veprës penale të ‘Shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike’, parashikuar neni 258 i Kodit Penal."- thuhet në kallëzimin e depozituar në SPAK./CNA Lajme ekskluzive nga CNA
Doni te informoheni te paret per lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tone ne Facebook duke klikuar ketu.

