Lajme Zone
“Ka qenë nderi i jetës sime t’i shërbej…”, Kimberly Guilfoyle jep dorëheqjen nga posti i ambasadores së SHBA-së në Greqi
BotëTop Channel

“Ka qenë nderi i jetës sime t’i shërbej…”, Kimberly Guilfoyle jep dorëheqjen nga posti i ambasadores së SHBA-së në Greqi

Kimberly Guilfoyle ka dhënë dorëheqjen nga posti i ambasadores së Shteteve të Bashkuara në Greqi pas kërkesës nga Shtëpia e Bardhë. Përmes një postimi në rrjetin social X, ajo shprehet se ka qenë nderi i jetës së saj t’i shërbente Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Kimberly Guilfoyle ka dhënë dorëheqjen nga posti i ambasadores së Shteteve të Bashkuara në Greqi pas kërkesës nga Shtëpia e Bardhë. Përmes një postimi në rrjetin social X, ajo shprehet se ka qenë nderi i jetës së saj t’i shërbente Shteteve të Bashkuara të Amerikës. “Të shërbyerit si Ambasadore e Shteteve të Bashkuara në Greqi ka qenë nderi i jetës sime. Do t’i jem përgjithmonë mirënjohëse Presidentit Donald J. Trump dhe Sekretarit të Shtetit Marco Rubio që më besuan privilegjin e jashtëzakonshëm për të përfaqësuar vendin më të madh në historinë e botës.

Që nga dita ime e parë si Ambasadore, kam punuar pa u lodhur për të çuar përpara agjendën America First të Presidentit Trump, për të forcuar aleancën tonë strategjike me Greqinë dhe për të sjellë fitore domethënëse për popullin amerikan.

Gjatë mandatit tim, kemi ndihmuar në sigurimin e marrëveshjeve historike për zgjerimin e eksporteve amerikane të gazit natyror të lëngshëm drejt Evropës, kemi çuar përpara Korridorin Vertikal për të zvogëluar varësinë e Evropës nga energjia ruse, kemi forcuar partneritetin tonë në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë me një aleat të rëndësishëm të NATO-s dhe kemi zgjeruar mundësitë për bizneset dhe investimet amerikane në të gjithë rajonin.

Jam veçanërisht krenare për rolin që ka luajtur Ambasada jonë në forcimin e dominimit energjetik amerikan, në avancimin e bashkëpunimit ekonomik dhe në garantimin që Shtetet e Bashkuara të mbeten udhëheqësi i pazëvendësueshëm në Evropën Juglindore.

Këto arritje janë dëshmi e udhëheqjes së guximshme të Presidentit Trump, e përkushtimit të Sekretarit Rubio ndaj diplomacisë amerikane dhe e punës së jashtëzakonshme të burrave dhe grave që i shërbejnë vendit tonë çdo ditë.

Gjithashtu, dëshiroj të trajtoj akuzat e fundit ndaj meje. Këto akuza janë të rreme dhe kam ndërmend të mbroj me vendosmëri emrin tim, reputacionin tim dhe integritetin tim. Ia kam kushtuar jetën time profesionale luftës për drejtësi, mbrojtjes së asaj që është e drejtë dhe mbrojtjes së vlerave që e bëjnë Amerikën të jashtëzakonshme. Nuk do të lejoj që akuzat e rreme të përcaktojnë dekadat e mia të shërbimit publik.

Mirënjohja dhe respekti im për Presidentin Trump dhe Sekretarin Rubio mbeten të palëkundura. Jam krenare për atë që arritëm së bashku dhe do të jem gjithmonë një mbështetëse besnike e Presidentit Trump dhe e misionit të tij për ta bërë Amerikën sërish të madhe (Make America Great Again).

Edhe pse koha ime si Ambasadore mund të jetë duke ardhur drejt fundit, përkushtimi im ndaj Presidentit Trump, lëvizjes America First dhe vendit që dua nuk do të përfjë kurrë.

Ka qenë nderi i jetës sime t’i shërbej Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Shpreh mirënjohjen time më të thellë dhe më të përzemërt ndaj popullit të Greqisë për mikpritjen, partneritetin dhe për faktin që më pritën krahëhapur. Zoti e bekoftë Presidentin Trump, Zoti i bekoftë diplomatët dhe ushtarakët tanë të mrekullueshëm dhe Zoti i bekoftë Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, shkruan Kimberly Guilfoyle.

Ndërkohë më herët, shtëpia e Bardhë i ka kërkuar Kimberly Guilfoyle të japë dorëheqjen nga posti i ambasadores së Shteteve të Bashkuara në Greqi, pas një sërë raportimesh për pretendime mbi sjellje të papërshtatshme dhe shkelje të mundshme gjatë ushtrimit të detyrës.

Lajmi u konfirmua të martën nga zëdhënësja e re e Shtëpisë së Bardhë, Katie Zacharia, gjatë konferencës së saj të parë për shtyp.

“I kemi kërkuar ambasadores Guilfoyle të japë dorëheqjen”, deklaroi Zacharia, duke shtuar se ajo kishte qenë një aset i vlefshëm për ekipin dhe se i uronin suksese në vijim. Ndërkohë përfaqësuesit e Guilfoyle nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesave për koment.

Vendimi vjen pas raportimeve se Guilfoyle dyshohet se kishte kërkuar para në këmbim të aksesit te figura të administratës amerikane, përpara konfirmimit të saj nga Senati. Gjithashtu, ndaj saj janë ngritur pretendime për pranimin e dhuratave luksoze gjatë kohës si ambasadore dhe për përfshirjen e një lobisti të një kompanie greke ndërtimi në takime zyrtare.

Avokatët e Guilfoyle i kanë mohuar akuzat për kërkim parash, ndërsa kanë deklaruar se raportimet për udhëtimet e saj kanë qenë çorientuese. Sipas tyre, ajo ka respektuar kërkesat federale për dhuratat dhe deklarimin e tyre.

Një nga pretendimet më të rënda është bërë nga Eric Deters, ish-donator i Donald Trump. Ai deklaroi se Guilfoyle i kishte kërkuar, përmes një mesazhi, t’i transferonte 100 mijë dollarë për të shlyer një kartë krediti American Express, në ditët përpara konfirmimit të saj nga Senati.

Sipas Deters, ajo i kishte premtuar se do të ishte mbështetësja e tij e palëkundur brenda administratës Trump, nëse ai do t’i dërgonte paratë.

“Nuk ka asnjë dyshim se bëhej fjalë për një marrëveshje shkëmbimi favori”, deklaroi Deters për gazetarin e CNN, Jake Tapper, javën e kaluar.

Deters tha se nuk ia kishte transferuar shumën Guilfoyle, pasi në atë kohë nuk dispononte likuiditetin e nevojshëm.

Në një deklaratë për CNN, avokatët e ambasadores hodhën poshtë pretendimet e tij. Sipas tyre, Deters i detyrohej Guilfoyle para për fjalime dhe shërbime konsulence, ndërsa deklaratat e tij janë të pavërteta.

“Kur zonja Guilfoyle po përgatitej të largohej nga sektori privat për t’i shërbyer publikut, ajo bëri atë që do të bënte çdo profesionist: u përpoq të mblidhte detyrimet e papaguara. T’i kërkosh një klienti të paguajë për punën e kryer nuk është korrupsion”, thuhet në deklaratën e avokatëve.

Të hënën, presidenti amerikan Donald Trump konfirmoi se po shqyrtonte mundësinë e largimit të Guilfoyle nga posti diplomatik.

“Po e shqyrtojmë. Po, nuk jemi të kënaqur”, u tha Trump gazetarëve, teksa po largohej nga Shtëpia e Bardhë.

Guilfoyle, e cila ka qenë e fejuar për katër vjet me Donald Trump Jr., djalin e madh të presidentit amerikan, u betua si ambasadore në shtator të vitit 2025.

Ndërkohë, sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ndodhej në një vizitë në Greqi kur The Wall Street Journal publikoi raportimet e para për skemën e dyshuar të shkëmbimit të parave me favore.

Gjatë vizitës në Athinë, Rubio mori pjesë në disa aktivitete me Guilfoyle dhe e cilësoi atë si një “ambasadore të fortë”. Ai kundërshtoi pyetjet e gazetarëve lidhur me akuzat, duke deklaruar se raportimet mediatike nuk duhej të konsideroheshin automatikisht si të vërteta.

“Ju mendoni se, vetëm sepse një burim ju ka thënë diçka dhe ju e keni raportuar, ajo është e vërteta absolute. Nuk është e vërteta absolute”, deklaroi Rubio përpara se të largohej nga vendi, ndërsa Guilfoyle ndodhej pranë tij.

Raportimet kanë shkaktuar reagime dhe kërkesa për hetime nga demokratët në Kongresin amerikan.

Gregory Meeks, përfaqësuesi kryesor demokrat në Komisionin e Punëve të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve, kërkoi që Guilfoyle të paraqitet përpara komisionit për të dhënë shpjegime.

Ai theksoi se duhet të përcaktohet nëse ambasadorja kishte kërkuar fonde edhe nga burime të tjera.

Ndërkohë, sipas një burimi të njohur me çështjen, Zyra e Inspektorit të Përgjithshëm (OIG) e Departamentit amerikan të Shtetit po heton Guilfoyle lidhur me pretendimet për sjellje të papërshtatshme.

Deri më tani, akuzat mbeten objekt hetimi dhe Guilfoyle, përmes avokatëve të saj, i ka mohuar pretendimet për shkelje. Top Channel