Celia Flores, bashkëshortja e Nicolas Maduro-s, i cili përballet me akuza për trafik droge në Shtetet e Bashkuara, ka kërkuar të lirohet për arsye shëndetësore, ndërsa mbrojtja e saj kërkon që ajo të vijojë të qëndrojë nën masa të rrepta sigurie jashtë burgut. Flores, 69 vjeç, mbahet në një qendër federale paraburgimi në Brooklyn, në Nju Jork. Sipas avokatit të saj, Mark Donnelly, para arrestimit të saj në fillim të këtij viti ajo ishte në gjendje të mirë shëndetësore dhe nuk ndiqte ndonjë trajtim afatgjatë, përveç një injeksioni mujor. Por, sipas mbrojtjes, gjatë qëndrimit në paraburgim ajo ka shfaqur probleme serioze me zemrën. Avokati thotë se gjendja e saj kërkon kryerjen e një ekzaminimi koronar dhe mundësisht një ndërhyrje kirurgjikale. Për këtë arsye, mbrojtja ka kërkuar që Flores të largohet nga qendra e paraburgimit dhe të vendoset në një banesë të përkohshme në Shtetet e Bashkuara, duke iu nënshtruar masave të jashtëzakonshme kufizuese. Sipas kërkesës së avokatit, ajo mund të qëndrojë nën mbikëqyrje të vazhdueshme nga roje të armatosura 24 orë në ditë, të pajiset me byzylyk elektronik dhe t’i konfiskohet pasaporta. Nicolas Maduro dhe Celia Flores u kapën gjatë një operacioni të forcave speciale amerikane në kryeqytetin e Venezuelës dhe u burgosën më 3 janar.
Ish-presidenti venezuelian, 63 vjeç, dhe ish-zonja e parë përballen me akuza të lidhura me trafikimin e sasive të mëdha të kokainës drejt Shteteve të Bashkuara.
Çifti i mohon akuzat e ngritura ndaj tyre.
Maduro ka deklaruar se e konsideron veten një “rob lufte” të Shteteve të Bashkuara, ndërsa çështja ndaj tij dhe bashkëshortes vijon në sistemin amerikan të drejtësisë. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

