Një konflikt i ashpër për pronësinë dhe aksesin në një rrugë në zonën e Vorës ka mbërritur në redaksinë e JOQ Albania, përmes një denoncimi të shoqëruar me video, dokumente dhe komunikime të banorëve të zonës.
Bëhet fjalë për një situatë të tensionuar në një rrugë dytësore Vorë–Marikaj, ku sipas denoncuesit janë të përfshira më shumë se 20 familje dhe biznese, të cilat pretendojnë se prej kohësh kanë probleme me aksesin drejt pronave të tyre.
Sipas personit që i është drejtuar redaksisë, konflikti lidhet me një sipërfaqe toke dhe rrugën që përdoret nga banorët dhe pronarët e bizneseve të zonës. Ai pretendon se një pjesë e rrugës është bllokuar dhe se në zonë janë vendosur edhe ullinj, ndërsa hyrja është shënuar si “pronë private, mos kalo”.
Por ajo që e bën edhe më shqetësuese situatën, sipas denoncuesit, është përshkallëzimi i konfliktit dhe pretendimi se ndaj tyre janë nxjerrë armë.
Në një komunikim me redaksinë, denoncuesi pretendon se dy pjesëtarë të familjes Farruku, të identifikuar prej tij si Artur dhe Mirakant Farruku, kanë dalë të armatosur gjatë konfliktit.
Ai na ka dërguar gjithashtu video për të cilat pretendon se tregojnë momente tensioni, ndërsa në njërën prej tyre, sipas dëshmisë së tij, një person shfaqet pranë biznesit të tij dhe situata përshkallëzohet edhe në praninë e policisë.
“Eshte policia prezent dhe këta dy vëllezërit Farruku tentojnë t’i gjuajnë biznesmenit brenda biznesit të tij”, pretendon denoncuesi, duke iu referuar pamjeve që ka dërguar në redaksi.
Në një tjetër komunikim, ai thotë se njëri prej personave “vjen vërdallë” në zonë me një çantë që, sipas tij, përmban armë dhe se banorët ndihen të kërcënuar.
Por konflikti nuk ndalet vetëm te akuzat për kërcënime.
Denoncuesi pretendon se dokumentacioni mbi pronën është i falsifikuar dhe se për këtë çështje ekziston edhe një dokument i Prokurorisë së Tiranës, të cilin thotë se ia ka vënë në dispozicion redaksisë dhe institucioneve.
Sipas tij, në dokumentin që ka dërguar bëhet fjalë për përfundimin e hetimeve lidhur me dokumentacionin e pronës, ndërsa ai pretendon se institucionet kanë dijeni për situatën, por konflikti vijon ende.
Në mesazhet e tij, denoncuesi përmend edhe një ish-zyrtar të Zyrës së Regjistrimit të Pasurive, të cilin e akuzon për përfshirje në dokumentacionin që ai e konsideron të falsifikuar. Këto janë pretendime të denoncuesit dhe kërkojnë verifikim nga organet kompetente.
“Prokuroria ma ka sjellë mua dhe bashkisë që toka është përfituar me dokumente false dhe prapë këta i bëjnë zbor policisë e bashkisë”, pretendon ai.
Një tjetër shqetësim i fortë i ngritur prej tij është reagimi i institucioneve. Denoncuesi pretendon se banorët kanë bërë kallëzime dhe ankesa pranë Policisë dhe Bashkisë Vorë, por sipas tij nuk është ndërmarrë një zgjidhje përfundimtare e konfliktit.
Ai thotë se situata ka arritur në një pikë ku mbi 20 familje dhe biznese ndihen të bllokuara dhe të pasigurta për shkak të konfliktit.
“Ka ngel të vritemi këtu”, shkruan ai në një prej mesazheve drejtuar redaksisë, duke shprehur frikën se përplasja mund të marrë përmasa edhe më të rënda.
Denoncuesi pretendon gjithashtu se personat me të cilët është në konflikt kanë biznese në sektorin e përpunimit të hekurit dhe aktivitete në fushën e hotelerisë dhe akomodimit, ndërsa thotë se konflikte të ngjashme për prona kanë ekzistuar edhe në zona të tjera.
Ajo që kërkojnë banorët është ndërhyrja e institucioneve dhe një verifikim i plotë i situatës.
Nëse dokumentet e pretenduara janë të vlefshme, nëse rruga është pronë private apo rrugë e aksesit publik dhe nëse ka pasur apo jo kërcënime me armë, janë çështje që mund të përcaktohen vetëm përmes dokumentacionit zyrtar, hetimit dhe verifikimit në terren.
Por një konflikt pronësie që shoqërohet me pretendime për armë dhe kërcënime nuk mund të lihet të përshkallëzohet.
JOQ Albania sjell këtë denoncim për të bërë publike shqetësimin e familjeve dhe bizneseve të përfshira dhe për t’u dhënë mundësi institucioneve përgjegjëse të sqarojnë situatën, të verifikojnë dokumentacionin dhe të marrin masat e nevojshme nëse konstatohen shkelje.
Kur një debat për tokën arrin deri te armët, nuk është më thjesht një konflikt pronësie. Është një situatë që kërkon reagim institucional para se të jetë tepër vonë. View this post on Instagram A post shared by JOQ Albania (@joqalbania)

