Memaliaj vijon protestat kundër reformës territoriale të propozuar nga qeveria, me qytetarët që kërkojnë mbrojtjen e identitetit, historisë dhe interesave të komunitetit.
Mbrëmjen e kaluar, në sheshin kryesor të qytetit, u zhvillua një tjetër protestë, ku pjesëmarrësit shprehën kundërshtimin ndaj ndryshimeve territoriale dhe asaj që e konsiderojnë cenim të të drejtave të komuniteteve lokale. Përmes një postimi në rrjetet sociale deputeti i PD Tritan Shehu ka deklaruar se protestuesit në Memaliaj, por edhe në Libohovë e Këlcyrë, kanë përcjellë ditët e fundit të njëjtin mesazh: vendimet për organizimin territorial duhet të respektojnë identitetin historik, vullnetin dhe interesat e qytetarëve. Shehu shprehet se ndryshimet e propozuara rrezikojnë të zbehin identitetin dhe historinë e këtyre komuniteteve, ndërsa kërkohet që zëri i banorëve të merret në konsideratë përpara çdo vendimi përfundimtar. “Jo zhdukjes, jo nihilizmit! Memaliaj, Libohova dhe Këlcyra vijojnë kështu qëndresën e tyre, ndërsa qytetarët paralajmërojnë se protestat do të vazhdojnë në mbrojtje të identitetit, historisë dhe të drejtave të komuniteteve lokale”, shkruan Shehu. Postimi i plotë: Memaliaj, në mbrojtje të identitetit, historisë dhe interesave të qytetarëve të saj. Antireforma territoriale e Ramës përballet me rezistencën popullore! Jo zhdukjes, jo nihilizmit të Ramës! Mbrëmë, në Memaliaj, u zhvillua sërish një protestë, një akt qëndrese dhe indinjate ndaj asaj që qytetarët e konsiderojnë nëpërkëmbje dhe shkelje të demokracisë, si dhe të parimeve europiane për vetëvendosjen e komuniteteve.
Në Memaliaj, Libohovë dhe Këlcyrë, prej ditësh përcillet i njëjti mesazh: të mbrojmë identitetin historik, të drejtat e qytetarëve dhe atë që u takon atyre, si në çdo vend demokratik.
Por, sipas protestuesve, në kushtet e një qeverisjeje që ata e cilësojnë autokratike, mbrojtja e këtyre të drejtave kërkon qëndresë, përballje dhe pjesëmarrje popullore.
Dhe këtë po bën Memaliaj prej javësh. Këtë e dëshmoi edhe mbrëmë, në sheshin kryesor të qytetit, përballë bashkisë së tij.
Të njëjtën qëndresë po e shfaqin edhe qytetarët e Libohovës dhe Këlcyrës.
Vetëm qëndresa mund t’i mposhtë këto vendime cinike dhe arbitrare, që, sipas protestuesve, synojnë të zhbëjnë historinë, vlerat dhe identitetin e komuniteteve.
Por tani duhet thënë me zë të lartë: Mjaft më! © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

