Lajme Zone
“Jo vetëm të mbyllet materniteti dhe të transferohet, por ky personel abuzivisht i gjithi, duhet të kalojë ‘nëpër vrimat e gjilpërës’ dhe…”/ Zbulohet letra e ish-kryeministrit Mehmet Shehu, tetor 1972
PolitikëBalkanWeb

“Jo vetëm të mbyllet materniteti dhe të transferohet, por ky personel abuzivisht i gjithi, duhet të kalojë ‘nëpër vrimat e gjilpërës’ dhe…”/ Zbulohet letra e ish-kryeministrit Mehmet Shehu, tetor 1972

Nga DASHNOR KALOÇI

Nga DASHNOR KALOÇI Edhe pse propagandohej me të madhe se; “ndryshe nga vendet kapitaliste, në Shqipërinë Socialiste shërbimi shëndetësor ishte falas për të gjithë shtetasit:, gjatë gjithë periudhës së regjimit komunist të Enver Hoxhës dhe pasardhësit të tij, Ramiz Alia, ai linte shumë për të dëshiruar. Madje në shumë aspekte, siç ishin aparaturat dhe pajisja e spitaleve e objekteve të tjera shëndetësore me ilaçe e medikamente të ndryshme bashkëkohore, ka qenë një problem që mbeti i pazgjidhur deri në shembjen e atij regjimi. Por një nga plagët më të mëdha të shëndetësisë së para viteve ‘90-të, thuhet se ka qenë ai i numrit të lartë të vdekjeve të fëmijëve të moshës nga 0 deri 1 vjeç, apo siç njihej ndryshe me termin e mjekësisë; “mortaliteti tek foshnjat”. Veç të tjerash kjo gjë bëhet e ditur edhe nga disa dokumente arkivore të Ministrisë së Shëndetësisë së asaj kohe, ku ndodhet korrespodenca e saj me disa nga institucionet dhe organet më të larta partiake e shtetërore të asaj kohe, në të cilat bëhet e ditur se vetëm gjatë vitit 1971, në të gjitha rrethet e vendit, nga 72.771 lindje, u shënuan 7027 vdekje në fëmijët e moshës 0 deri në 1 vjeç. Por ajo që tronditi Tiranën dhe alarmoi udhëheqjen e lartë partiake dhe shtetërore të asaj kohe, ishte vdekja e 27 foshnjave në Maternitetin e Tiranës (sot Materniteti “Nana Mbretëreshë) vetëm gjatë disa ditëve në fundin e shtatorit dhe fillimin e tetorit 1972, gjë e cila detyroi organet përkatëse të asaj kohe që ta mbyllnin fare Maternitetin e Tiranës. Po pse ndodhi një numër aq i lartë vdekjes në atë maternitet në atë kohë dhe cilat ishin arsyet që u mor vendimi për mbylljen e asaj Shtëpie Lindje? Çfarë thuhet në raport-informacionet e ministrit të Shëndetësisë së asaj kohe, Dr, Llambi Ziçishti, dërguar instancave më të larta të shtetit dhe cili ishte reagimi e përgjigjja e udhëheqjes së lartë të asaj kohe, duke filluar nga kryeministri Mehmet Shehu, sekretari i Komitetit Qendror të PPSH-së, Hysni Kapo, sekretari i parë i Komiteti të Partisë së Tiranës dhe anëtari i Byrosë Politike, Manush Myftiu, etj.? Dokumentet e mëposhtme arkivore, që publikohen për herë të parë, sjellin një pasqyrë të detajuar mbi gjendjen alarmante të mortalitetit infantil në Shqipërinë e vitit 1971, si dhe përpjekjet e aparatit shtetëror për të vënë nën kontroll këtë fenomen tragjik. Përmes relacionit të Zv/Ministrit të Shëndetësisë, Dr. Kleo Miho, si dhe raporteve zyrtare të nënshkruara nga Dr. Bukurije Maçi pranë Drejtorisë së Nënës dhe Fëmijës, zbardhet tabloja e vërtetë e shërbimit mjekësor në rrethe dhe fshatra gjatë regjimit komunist. Këto shkresa zyrtare të fillim-vitit 1972, nxjerrin në dritë jo vetëm shifrat e larta të vdekshmërisë së foshnjave, ku sëmundjet e rrugëve të frymëmarrjes si bronkopneumonia zinin deri në 60% të rasteve, por edhe prapambetjen e thellë infra-strukturore në zonat rurale. Dokumentet zbulojnë dështimin e planit për ndërtimin e shtëpive të lindjes e konsultoreve, mungesën e lejeve të lindjes dhe kontrolleve mjekësore për fëmijët 0-3 vjeç, si dhe kushtet skandaloze të ushqimit në çerdhet e fshatit, ku mungonin edhe artikujt më bazikë si buka e grurit dhe qumështi. Përmes një autokritike administrative, raportet godasin gjithashtu burokracinë e seksioneve lokale të shëndetësisë dhe pasqyrimin sipërfaqësor apo me formularë fiktive të të dhënave demografike nga rrethet. Lidhur me këtë etj., na njohin dokumentet në fjalë, të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSH-së), të cilat publikohen për herë të parë dhe me faksimilet përkatëse nga Memorie.al Vijon nga numri i kaluar

LETRA E KRYEMINISTRIT MEHMET SHEHU, PËR NGJARJEN E RËNDË TË VDEKJES SË 27 FOSHNJAVE NË MATERNITETIN E TIRANËS NË TETOR 1972 DHE MASAT NDAJ PERSONELIT

Për Maternitetin dhe Ministrinë

Unë s’jam mjek. Por logjika ma thotë se burimi është vetë personeli që shërben në maternitet (mjekë, infermierë, shërbenjës), dhe kushtet e papastërtisë atje. D.m.th., atje mungon DISIPLINA e higjienës. Nga kush kërkojnë disiplinë higjienike mjekët, kur dhe vetë e shkelin atë, pa ndjenjën në shkallën e duhur të përgjegjësisë, e të respektit për jetën e njeriut?

Jo vetëm të mbyllet materniteti dhe të transferohet, por ky personel, abuzivisht i gjithi, duhet të kalojë “nëpër vrimat e gjilpërës”, nga ana e kontrollit për të gjetur bakterin dhe për t’u dezinfektuar, mbasi siç thoni vetë, “edhe mbas mbylljes së përkohshme të Korpusit Obstetrika, kthimi në këtë repart krijon garanci, vetëm në rast se zbatohen me përpikëri rregullat higjienike të aspesisë”. Ahere, i zbatoni ju të parët këto rregulla! Veproni sipas parimit: “bëni si bëj unë”, e jo sipas parimit: “bëni si them unë, por mos bëni si bëj unë”!

Ky rast t’ju vlejë për një shkundje të përgjithshme, jo vetëm në sektorin e maternitetit, por edhe në të gjithë sektorët e tjerë, të shëndetësisë e kudo, në qytet dhe në fshat. Dhe përgjegjësinë mbajeni mbi vete, dhe jo t’ua hidhni nënave, duke pretenduar se ato qenkan bartëset e mikrobit! Ku e dini ju? Nga e nxuarrët këtë teori?! Se mos keni kartelat higjienike për të gjitha nënat që hyjnë në shtëpitë e lindjes! Po të kishit kontroll, do e kishit zbuluar burimin me kohë. Prandaj mbajeni mbi vete të gjithë përgjegjësinë.

Shënim. Në qendrën e re të përkohshme të lindjes, nuk duhet të shërbejë askush nga personeli i sotëm i infermierëve, deri sa të sigurohet ana higjienike e tyre dhe nuk ka baktere, rikthimi në maternitet vetëm kur të jini të sigurtë që çdo gjë është në rregull. Tetor 1972 Mehmet Shehu

RAPORT – INFORMACION I MINISTRIT TË SHËNDETËSISË, DR. LLAMBI ZIÇISHTI, LIDHUR ME NGJARJEN E RËNDË TË VDEKJES SË 27 FOSHNJAVE NË MATERNITETIN E TIRANËS NË TETOR 1972 I N F O R M A C I O N

Në vijim të relacioneve tona të më pashme mbi gjendjen në Shtëpinë e Lindjes në Tiranë, u vëmë në dijeni për sa me poshtë: Fëmijët e sëmurë janë në shërim e sipër dhe nga kontaktet nuk është sinjalizuar asnjë rast i dyshimtë.

Që nga data 3.XI.1972 nuk ka raste të reja as në maternitet as në qytet. Fëmijët kanë lindur deri tani në Shtëpinë e Lindjes të Kombinatit.

Aktualisht gjendja është e tillë që me atë kapacitet dhe me kushtet që ka ajo Shtëpi, kjo praktikë nuk duhet të vazhdojë me tutje. Personeli që shërben aty është sjellë nga rrethe të tjerë. Parashikohet që me dt. 15.XI.1972 të ri çelet Shtëpia e Lindjes në Tiranë. Për ri çeljen dhe funksionimin e saj janë marrë një sërë masash në mënyrë që të evitohet në maksimum në të ardhmen përhapja e ndonjë infeksioni të tillë. Këto masa strukturale nuk i ka patur materniteti në të kaluarën.

U krijua një repart i veçantë për të porsalindurit. Në këtë repart do të ketë 6 dhoma të veçanta për të evituar grumbullimin e fëmijëve, dhe një sallë më të madhe të ndarë në katër pjesë, ku do të vendoset sistemi i bokseve ose gjysëm bokseve për të penguar transmetimin e infeksioneve.

U krijua reparti i izolimit në formën e dy bokseve të veçantë për të vendosur fëmijët e sëmurë. Në rast nevoje është parashikuar që të shtohet edhe një e ndarë tjetër anekse me të paren dhe në komunikim me te.

U vendos sistemimi i oksigjenimit kudo, në mënyrë që të mos ndihet nevoja e lëvizjeve të fëmijëve.

Materiali që do të përdoret për fëmijët do të jetë i sterilizuar në autoklavë. Janë dhënë pajisjet dhe është krijuar sistemi i sterilizimit të centralizuar.

Biankeria që përdoret nga mjekët, bluzat dhe përparëset do të jenë të autoklavuara çdo ditë. Për të veçuar këto janë marrë masa për krijimin e një gardërobe të posaçme të ndarë nga ajo e gjinekologjisë dhe ajo e abortuarit.

Është bërë sterilizimi i vazhdueshëm i gjithë ambienteve, pajisjeve, orendive etj.

Të gjithë punonjësit kanë kaluar në ekzaminim bakteriologjik. Të dyshimtët nuk do të pranohen në shërbim.

Janë marrë masa për sterilizimin dhe ruajtjen e pastërtisë të duarve para çdo kontakti dhe manipulimi me fëmijët.

Për të venë në jetë këto masa, është shtuar baza materiale si në biankeri, orendi, aparatura etj.

Është vendosur shërbimi i veçantë i inspektoratit sanitar.

Me këto masa me siguri, do të evitohen infeksionet. Do të behet një punë e vazhdueshme për edukimin e njerëzve. Fakti që vetëm një shkelje beri që më datën 30.X.1972 të shfaqen disa raste të reja, sikurse është thënë në relacionin e parë, të bën të sigurohesh se forcimi i disiplinës higjienike është faktori kryesor dhe këtu duhet të insistojmë të gjithë.

I punuam vërejtjet e Shokut Kryeministër dhe përsëri para se të rifillojë aktiviteti në korpusin obstetrikal do të provokojmë edhe një mbledhje tjetër për të insistuar akoma më shumë mbi masat që janë marrë dhe mbi përgjegjësit që na dalin.

Këto ditë do të mbledhim mjekët obstetrikë nga rrethet dhe drejtorë institucionesh për të njohur me këtë çështje dhe për të përcaktuar masat që duhen marrë për çdo institucion. Një gjë të tillë e kemi bërë edhe me shefat e Shëndetësisë në Korçë. Tiranë, më 15.XI.1972 M I N I S T R I Llambi Ziçishti

RAPORT-INFORMACION I ZV. MINISTRIT TË SHËNDETËSISË DR. KLEO MIHO, DËRGUAR KOMITETIT EKZEKUTIV TË TIRANËS, PËR SITUATËN E RËNDË TË VDEKJES SË FOSHNJAVE NË TETOR 1972

REPUBLIKA POPULLORE SHQIPËRISË Sekret

MINISTRIA E SHËNDETËSISË Tiranë më 4-XII-1972

Drejtoria e Nënës dhe Fëmijës

Nr. 54/177 Prot. Lënda: Informacion mbi mortalitetin infantil për muajin tetor 1972. KOMITETIT EKZEKUTIV TË K. P. TË RRETHIT (Seksionit të Shëndetësisë)

Në analizën e mortalitetit infantil për 6 dhe 9 mujorin e 1972 që ju kemi dërguar, kemi tërhequr vëmendjen për rritjen e këtij mortaliteti në tremujorin e tretë.

Muaji Tetor i vitit në vazhdim është shumë më i larte (9.5 %) se muajt e mëparshëm si dhe nga tetori i vitit të kaluar. Veçanërisht shqetësuese është rritja e mortalitetit infantil në rrethet Berat, Fier, Korçë, Lushnjë, Sarandë, Skrapar e Tiranë, të cilët vazhdimisht qëndroni nën mesataren e Republikës, ndërsa për muajin tetor të këtij viti janë shumë mbi mesataren e Republikës dhe mbi nivelin e tyre të zakonshëm. Por edhe rrethet e tjera, me përjashtim të Gjirokastrës, Përmetit, Kolonjës, Tepelenës, Vlorës dhe Lezhës, e kanë shumë të larte mortalitetin infantil për muajin Tetor.

Gjatë muajve Qershor-Korrik-Gusht e deri nga mesi i Shtatorit, në shumicën e rretheve kaloi epidemia Virale e grupit ‘ECHO’, nga e cila u prekën shumë fëmijët e moshave të vogla dhe ato nën një vjeç. Në Tiranë gjatë muajit Tetor pati një infeksion nozokomial në repartin e neonatëve të Shtëpisë së Lindjes e cila shkaktoi mjaft vdekje. Po ashtu një infeksion bakterial u shfaq në qytetin e Burrelit dhe në disa fshatra për rreth në ditët e para të Tetorit, nga ku gjetën vdekjen disa fëmijë të moshës nën një vjeç.

Përveç këtyre ne nuk dimë dhe as kemi sinjalizime të tjera që të shpjegojnë ngritjen e mortalitetit infantil në muajin Tetor. Disa rrethe mhen të justifikojnë këtë rritje me ndryshimet atmosferike të parakohshme (të ftohit e parakohshëm), nga të cilat u shkaktuan shumë sëmundje të aparatit të frymëmarrjes në fëmijë.

Mendojmë se kjo nuk është arësye kryesore, pasi dhe afër këtyre rretheve me mortalitet infantil të larte, ka rrethe që kishin të njëjtat kushte atmosferike dhe mortalitetin infantil e kanë të ulët për 2 – 3 muajt e fundit si: Gramshi, Mirdita, Kolonja, Tepelena, Vlora etj.

Megjithatë, si mbas të dhënave të pjesshme që ne kemi për këtë muajt e fundit, na rezulton se janë mjaft faktorë negative që influencojnë në shëndetin dhe jetën e fëmijëve:

1 – Në disa rrethe ka patur shumë lindje para-kohe nga të cilat një pjesë e madhe e fëmijëve kanë vdekur.

2 – Ka patur shumë vdekje aksidentale (asfiksia etj.)

3 – Ka vdekje të shumta brenda 24 orëve të para në shtrim në institucionet.

4 – Ka akoma shumë vdekje të fëmijëve pa u vizituar dhe pa marrë asnjë ndihmë mjekësore, si dhe lindje pa asistencë mjekësore.

Përmendëm disa faktorë shqetësues të cilët me një punë më të madhe mund të zvogëlohen në minimum në një kohë shumë të shkurtër. Prandaj për të gjitha këto porositem:

a)- Organet dhe punonjësit e shëndetësisë, në qendër e në bazë, të ndjekin dhe të studiojnë vazhdimisht shkaqet e lindjeve para-kohe, të përqendrohet vëmendja në zbatimin e ligjit mbi të drejtat e gruas shtatzëne, të bashkëpunojnë më shumë me organet e pushtetit, organizatat e masave veçanërisht të gruas, dhe të kërkojnë ndihmën e tyre për të mos lejuar shkeljet eventuale.

b)- Për pakësimin në minimum të vdekjeve aksidentale në fëmijët e moshës së gjirit punonjësit e shëndetësisë duhet të bëjnë një punë më të madhe me prindër në drejtim të mirërritjes dhe kujdesit për fëmijët, e në ndonjë rast të kërkohet dhe autopsia mediko-legale.

c)- Për vdekjet e shumta brenda 24 orëve të para të shtrimit, përveç punës bindëse me prindër për mjekimin në kohe dhe të rregullt të fëmijëve, shtrimin e tyre me kohë në spitale, duhet që nga ana e drejtorive të institucioneve shëndetësore (spitale e shtëpi lindje) dhe seksioni të rishikohen mjetet dhe masat që duhen për urgjencën dhe reanimacionin në këto institucione.

d)- Me plotësimin e të gjitha fshatrave të Republikës me mami në këtë muaj, duhet që lindjet me asistencë të plotë mjekësore të bëhen afro apo qind për qind. Në të njëjtën kohë të bëhet ndjekja e rregullt në shtëpi apo konsultore e fëmijëve sidomos në muajt e parë të jetës. Për këtë mamit duhet të kontrollohen dhe ndihmohen në punën e tyre më shumë nga ana e seksionit dhe këshillave popullore të fshatrave, si dhe nga organizatat e masave.

e)- Vdekjet pa ndihmë mjekësore duhet të shqetësojnë shumë gjithë organet dhe punonjësit e shëndetësisë. Seksionet e shëndetësisë, mjekët e spitaleve zonale dhe ata të qendrave shëndetësore duhet të binë maksimumin që këto raste të pakësohen sa më shumë, dhe tani mundësit dhe forcat mjekësore janë më të mëdha për një qëllim të tillë.

Për rritjen e mortalitetit infantil në muajt e fundit e sidomos në Tetor, Ministria e Shëndetësisë tërheq vëmendjen e seksioneve dhe gjithë punonjësve të shëndetësisë, të cilët duhet të mobilizohen më shumë në këtë drejtim, të forcojnë dhe të mos i dobësojnë masat organizative nga ndonjë ulje e mortalitetit infantil.

Seksionet e shëndetësisë të studiojnë urgjentisht dhe të nxjerrin konkluzione për rritjen e mortalitetit infantil në muajin Tetor, të këmbejnë eksperiencë me rrethet fqinjë dhe ata me mortalitet të ulët dhe të marrin të gjitha masat e nevojshme për epideminë e gripit ‘A – 2’ që po përhapet, i cili të mos dëmtojë dhe shkaktojë vdekje të shumta në fëmijë.

Porositim edhe një here që materiali i dërguar më parë mbi mortalitetin 6 dhe 9 mujor të punohet me të gjithë komisionet e demografisë dhe mjekët pediatër e obstetër. Po ashtu materiali që po ju dërgojmë punohet menjëherë në këto komisione, me drejtorit e institucioneve , vihet në dijeni Kryesia e Komitetit Ekzekutiv si dhe Komiteti i Partisë dhe për vështirësitë që do keni të kërkoni ndihmën e këtyre organeve./ Memorie.al © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb