Përplasja mes kryeministrit Edi Rama dhe eurodeputetëve që kanë reaguar për protestat dhe çështjen e zonave të mbrojtura vijon. Këtë herë ka reaguar eurodeputetja italiane Cristina Guarda, pjesë e Delegacionit të Parlamentit Europian për marrëdhëniet me Shqipërinë, e cila ka kundërshtuar akuzat e Ramës për “agjenda personale”. Rama kishte deklaruar se disa eurodeputetë që kanë mbështetur protestat në Shqipëri udhëhiqen nga interesa të tjera, por Guarda i është përgjigjur duke thënë se qëndrimi i saj dhe i kolegëve lidhet me procesin e integrimit europian dhe mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve shqiptarë.
“Edi Rama, ja axhenda jonë, publike. Ne punojmë për një proces anëtarësimi të Shqipërisë në Bashkimin Europian që vendos në plan të parë të drejtat e qytetarëve shqiptarë, jo tekat e atyre që investojnë, blejnë e spekulojnë”, u shpreh eurodeputetja.
Guarda deklaroi se i ka dërguar një letër Komisionit Europian ku ka ngritur shqetësime mbi disa pika të legjislacionit shqiptar dhe kërkoi që procesi i integrimit të jetë në shërbim të qytetarëve.
Sipas saj, ligji 21/2024 nuk është në përputhje me standardet europiane dhe duhet të ndryshohet për të garantuar respektimin e legjislacionit të Bashkimit Europian.
Eurodeputetja kritikoi gjithashtu projektet turistike në zonat e mbrojtura, duke përmendur rastin e Vjosë-Nartës, ku sipas saj vijojnë raportime për ndërhyrje në një zonë me rëndësi të veçantë mjedisore.
Ajo theksoi se debati nuk lidhet vetëm me mjedisin, por edhe me çështjen e pronësisë, duke ngritur shqetësimin se shumë shqiptarë ende nuk kanë tituj të sigurt pronësie dhe se procesi i kthimit dhe kompensimit të pronave të konfiskuara gjatë regjimit komunist nuk është përmbyllur.
“Çështja nuk ka të bëjë vetëm me ambientin, por edhe me të drejtën e pronësisë, një nga të drejtat themelore të garantuara nga Bashkimi Europian”, tha Guarda. Kontakto me Politiko në rast se: Mendoni se nuk shkruajmë Shqip Mendoni se kemi bërë shkelje etike Mendoni se kemi bërë CopyPaste Mendoni se kemi bërë FakeNews Doni të postoni nje Lajm

