Organizata të ndryshme, mbështetës të protestave, shoqatat e biznesit dhe njerëz të shoqërisë civile, intelektualë, qytetarë bëjnë thirrje të pandalshme; Jo, dhunës ndaj biznesit.
Protestuesit kanë të drejtë të jenë në rrugë, të shkojnë të protestojnë por dhuna mbi biznesin, sulmet mbi bankat, sulmet mbi bankomatet, sulmet mbi kompanitë telefonike, thyerja e xhamave të tyre, marrja e kartave rimbushëse në kompanitë telefonike apo dëmi që bëhet në zyra të ndryshme institucionesh private është një krim që dëmton protestën, dëmton imazhin e saj, dëmton të rinjtë që protestojnë. Ndal dhunës ndaj biznesit është thirrja që çdo i ri duhet t’ia bëjë një shoku të tij, që çdo student duhet t’ia bëjë një shoqe të tij, që çdo qytetar që proteston duhet t’ia thotë një njeriu që ka në krah, jo dhunë mbi biznesin, jo dhunë mbi bankat, jo dhunë mbi ekonominë. Nesër në këto biznese do të punojnë vetë këta të rinj. Nuk ka pse të ketë dhunë dhe të thyhen xhamat e kompanive dhe bizneseve private.
Nga ana tjetër pse duhen thyer e shkulur semaforët. Ata janë të vendosur me taksat e qytetarëve. Ndoshta për ata semaforë janë bërë tenderë dhe janë vjedhur para, por duhet të ndalet dhuna mbi pronën private së pari dhe së dyti mbi pronën publike mbi të cilën është pronar dhe ka investimin e tij çdo i ri që proteston. Arsyeja këtë qëllim ka, që nesër të jetë më e mirë prona publike, më i mirë biznesi dhe më i zhivlluar vendi por kjo nuk ndodh nëse dhunojmë biznesin dhe shkatërrojmë pronën publike.
Sa më të mëdha dëmet te biznesi privat dhe prona publike aq më të mëdha do jenë kostot që do paguajnë vetë protestuesit, vetë familjet e tyre, vetë njerëzit tanë.
Prandaj dhe një thirrje, një apel për të gjithë: Ndal dhunës ndaj biznesit, ndal dhunës ndaj pronës publike.
Sa më pak dhunë, më shumë protestë dhe qëndresë./ CNA Lajme ekskluzive nga CNA
Doni te informoheni te paret per lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tone ne Facebook duke klikuar ketu.

