Një 32-vjeçar ka humbur jetën në mënyrë tragjike në Liqenin e Pogradecit, teksa ishte futur në ujë për t’u larë. Viktima është identifikuar si Kertis Risvani, me origjinë nga Korça dhe banues në fshatin Libonik të Bashkisë Maliq.
Ngjarja ndodhi të hënën, në momentin kur Risvani ndodhej në një varkë së bashku me dy miq. Sipas të dhënave paraprake, ai është futur në ujërat e liqenit, por pak më vonë ka humbur ndjenjat dhe nuk ka mundur të dalë në sipërfaqe.
Pas kërkimeve, trupi i 32-vjeçarit është nxjerrë nga liqeni dhe është dërguar në morgun e Spitalit të Pogradecit. Ekspertiza mjekoligjore pritet të përcaktojë rrethanat dhe shkakun e saktë të vdekjes.
Burime paraprake bëjnë me dije se dyshohet që i riu të ketë pësuar infarkt në momentin e futjes në ujë, ndërsa mbetet ekspertiza ajo që do të konfirmojë këtë pistë.
Kertis Risvani jetonte me nënën dhe motrën e tij në një banesë me qira në Libonik. Ai ishte i pamartuar. Ceremonia mortore për të riun pritet të zhvillohet në ditët në vijim.

