Lajme Zone
“Jashtë protestojnë, këtu bëhet teatër” – Spiropali me tone të forta paralajmëron votën kundër “Territoriales”: Kjo nuk është reformë! S’jemi kartona!
PolitikëBalkanWeb
Ky artikull është pjesë e një historie me 8 burime — Krahaso mbulimin →

“Jashtë protestojnë, këtu bëhet teatër” – Spiropali me tone të forta paralajmëron votën kundër “Territoriales”: Kjo nuk është reformë! S’jemi kartona!

Deputetja e Partisë Socialiste, Elisa Spiropali, ka mbajtur një fjalim kritik nga foltorja e Kuvendit gjatë seancës ku pritet të votohet reforma e re territoriale, duke ngritur shqetësime të thella mbi decentralizimin e pushtetit, funksionimin e institucioneve dhe sistemin zgjedhor në vend.

Deputetja e Partisë Socialiste, Elisa Spiropali, ka mbajtur një fjalim kritik nga foltorja e Kuvendit gjatë seancës ku pritet të votohet reforma e re territoriale, duke ngritur shqetësime të thella mbi decentralizimin e pushtetit, funksionimin e institucioneve dhe sistemin zgjedhor në vend. Në fjalën e saj, Spiropali u shpreh me keqardhje për situatën politike, duke theksuar se në Parlament po vazhdohet të bëhet “teatër”, ndërsa jashtë tij qytetarët protestojnë për shkak të mungesës së besimit te institucionet. Më tej, ajo nënvizoi se kryetarët e bashkive nuk mund të përdoren si prefektë apo vartës të partisë në pushtet, por duhet t’u jepet pesha dhe kompetenca e duhur. Ajo hodhi poshtë edhe retorikën e fitores absolute të të gjitha bashkive nga mazhoranca, duke deklaruar se institucionet duhet të jenë më të fortë se njerëzit që i ushtrojnë ato. “Me keqardhje shumë të madhe po e marr fjalën, kur shoh se jo vetëm në këtë Parlament vazhdohet të bëhet teatër, por edhe kemi jashtë njerëz që protestojnë. Po edhe më gjerë kemi një mungesë absolute kohezioni, besimi te institucionet, te partitë politike, te ne që jemi këtu, te kontrata sociale, te shtyllat e shtetit. Së bashku kemi zhdukur çdo hapësirë normale komunikimi, besimi, mënyrë të ekzekutimit dhe të administrimit të pushtetit dhe politikës. Po e nis nga vetja, sepse besoj që secili prej nesh duhet ta nisë nga vetja. Unë besoj se sot, Reforma Territoriale, nuk është një reformë. Duhet ta themi këtu hapur. Nuk diskutojmë një reformë territoriale, sepse nuk është pyetja sa bashki kemi, por sa pushtet duhet të ketë një bashki. A duhet të ketë një reformë territoriale pa një decentralizim të vërtetë? Unë mendoj se duhet të ndryshosh hartën, është e lehtë. Por a mund të ndryshojmë ne së bashku dhe të konceptojmë pushtetin? A ndihen sot qytetarët më pranë vendimmarrjeve? Decentralizimi nuk është vetëm një çështje e pushtetit vendor. Nëse kërkojmë më shumë përgjegjësi për bashkitë, duhet të diskutojmë edhe për autonominë e institucioneve. Nëse kërkojmë më shumë përgjegjësi nga kryetarët e bashkive, duhet të kërkojmë më shumë përgjegjësi nga çdo nivel qeverisjeje. Nuk mund të flasim për shpërndarjen e pushtetit në territor, pa u folur për përqendrimin e pushtetit.

Këtu dua të kaloj te ushtrimi i pushtetit për të mirë dhe në favor të qytetarëve. Kryetarët e bashkive nuk mund të përdoren as si prefektë, as si elementë të rëndësishëm të partisë në pushtet. Unë jam pjesë e kësaj shumice. Duhet t’u japim atyre kompetencën dhe peshën, sepse i përfaqësojnë të gjithë. Nuk mund të thirren nëpër takime dhe të trajtohen si vartës.

Më vjen shumë keq kur dëgjoj nga kolegë të mi që flasin pa vend sot për të folur me tone të tilla. Ne do i mundnim të gjithë, do i fitojmë të gjitha bashkitë… Jo mo, jo. Nuk është normale që t’i fitosh të gjitha bashkitë. Ne duhet që institucionet tona të jenë më të forta se njerëzit që i ushtrojnë.

Nuk është puna te deputetët e bindur, por te ata të përgjegjshëm. Nuk duhet të reformojmë vetëm pushtetin lokal, por dhe sistemin zgjedhor, që nuk prodhon asgjë. Me lista treçerek të mbyllura, çerek të hapura. Qytetari duhet ta dijë për kë voton. Ne s’jemi as kartona, as njerëz pa përgjegjësi. Mënyra se si ju na drejtoheni është revoltuese. Revolta jonë duhet të jetë edhe e brendshme.

U drejtohet deputetëve të PD: Ju bëni sikur jeni përfaqësues të qytetarëve. Ju thotë kryetari çfarë duhet të bëni dhe ju e bëni. Pavarësia e madhe ju.

Reforma nuk duhet të kërkohet vetëm nga kundërshtari, por edhe së brendshmi. Ne duhet ta meritojmë fitoren. Duhet të kemi guximin të reformojmë partitë tona. Bashkitë tona. Të zgjedhim njerëzit më të mirë që dalin nga proceset e brendshme të partisë.

Qëndrimi im nuk ka qenë personal. Në këtë pikë keni shumë për të bërë”, tha Spiropali. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb