Pas më shumë se tre vitesh proces gjyqësor, Gjykata Speciale në Hagë pritet ta shpallë sot, në orën 10:00, aktgjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi. Vendimin do ta shpallë Trupi Gjykues II, i përbërë nga tre gjyqtarë me të drejtë vote dhe një gjyqtar rezervë. Në krye të trupit është amerikani Charles L. Smith III, i cili ka një karrierë të gjatë në sistemin gjyqësor amerikan dhe ka shërbyer për vite si gjyqtar në shtetin e Ioëa-s.
Ai ka qenë gjithashtu gjyqtar i EULEX-it në Kosovë, duke përfshirë Gjykatën Supreme të vendit, dhe në Dhomat e Specializuara të Kosovës është pikërisht ai që kryeson trupin gjykues në këtë çështje.
Anëtar i trupit është edhe gjyqtari gjerman Christoph Barthe, i cili ka një përvojë të gjatë në drejtësinë penale dhe ndërkombëtare.
Ai ka shërbyer si prokuror publik në Gjykatën Federale të Drejtësisë në Gjermani, ku është marrë edhe me çështje të krimeve të luftës dhe gjenocidit, dhe ka qenë pjesë e trupit që ka shqyrtuar provat dhe dëshmitë gjatë gjithë procesit.
Anëtari i tretë me të drejtë vote është zvicerani Guénaël Mettraux, karriera e të cilit lidhet ngushtë me të drejtën penale ndërkombëtare.
Ai ka punuar në çështje të krimeve të luftës, ka pasur përvojë si avokat mbrojtës dhe këshilltar përpara disa gjykatave ndërkombëtare, ka shërbyer në struktura të drejtësisë ndërkombëtare dhe është profesor i së drejtës penale ndërkombëtare.
Si gjyqtar rezervë është caktuar irlandezi Fergal Gaynor, i cili ka përvojë të gjatë në drejtësinë ndërkombëtare dhe ka punuar në çështje të krimeve të luftës.
Ai ka shërbyer në procese pranë Tribunalit Penal Ndërkombëtar për Ruandën dhe Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë, dhe në këtë proces mban rolin e gjyqtarit rezervë të trupit gjykues. Top Channel

