“Jam një nga shkaktarët e kësaj proteste”, deklaroi Monika Kryemadhi në “Goca dhe Gra”, teksa bëri “mea culpa” për përgjegjësinë e saj në situatën politike të krijuar në vend. Ajo e cilësoi djegien e mandateve në vitin 2019 si një gabim të padiskutueshëm, ndërsa tha se politikanët që kanë qenë pjesë e atij vendimi nuk mund të shfaqen sot si triumfatorë përballë protestës së të rinjve.
Por Kryemadhi kishte edhe një mesazh për studentët dhe të rinjtë në protestë: të mos mjaftohen vetëm me kundërshtimin, por të krijojnë përfaqësimin e tyre politik. Sipas saj, protesta duhet të ketë gati një “Plan B”, në mënyrë që nëse Edi Rama jep dorëheqjen dhe vendi shkon në zgjedhje të parakohshme, të rinjtë të kenë listën e përfaqësuesve të tyre për në Parlament dhe të mos ia lënë sërish skenën politike vetëm PS-së dhe PD-së.
Deklarata e Monika Kryemadhit në “Goca dhe Gra”:
“Mendoj që ajo protestë nuk ka nevojë për shkaktarët e asaj proteste dhe unë jam një nga ata shkaktarë, pavarësisht që secili nga ne kërkon të fshihet.
Unë bëj gjithmonë ‘mea culpa’. E bëj për veten time, nuk e bëj për të tjerët. E kam bërë gjithmonë.
Gabimi i kësaj situate fillon me djegien e mandateve në vitin 2019 dhe kjo është e padiskutueshme. Dhe në qoftë se vijmë ne, unë apo dikush tjetër, sipas mendimit tim, që ka qenë në atë Parlament apo që është edhe sot në këtë Parlament dhe bën si triumfator, përveçse gënjen veten, kërkon të marrë edhe popullin për budalla.
Nuk mendoj që të rinjtë duan të jenë sa më larg partive. E dëgjova pak më parë bisedën tuaj. Vendimet janë politike.
Sot, çfarëdo që të bëjmë ne, po dha Edi Rama dorëheqjen, do të zgjedhim një kryeministër tjetër nga ai Parlament.
Po dha Edi Rama dorëheqjen, do të zgjidhet një kryeministër tjetër nga ai Parlament, që është ngjarje politike, por që është aty, nga ai Parlament që asnjë nga ata protestues atje nuk e do. Qartë.
Në qoftë se ai thotë ‘unë iki’, dhe që do iki, a do iki sot, a do iki nesër, për një javë apo për dy javë, meqenëse unë jam fallxhore, që do iki, do iki. Problemi është kush do ta zëvendësojë atë dhe do ta zgjidhë ai Parlament aty.
A ka? Ka burra dhe gra shumë më të mirë se kushdo tjetër që është aty, në atë sallë.
Ka edhe një skemë tjetër që unë e them gjithmonë. Nëse Rama jep dorëheqjen, thotë ‘do ta çoj vendin në zgjedhje për 45 ditë’, a e dinë ata studentë dhe protestues që për 45 ditë do të shkojnë vetëm Partia Demokratike dhe Partia Socialiste në zgjedhje?
Për më tepër, Kodi Zgjedhor nuk u jep mundësinë atyre djemve dhe vajzave që të përfshihen dhe përsëri kjo politikë e vjetër do të na ngelet prapë si një politikë e re.
Pra, pa instrumentin politik nuk mund të ketë një zgjidhje.
Politika është një instrument që krijon sisteme në shërbim të qytetarëve, por kur politika bie në duar të gabuara dhe ne zgjedhim parti politike dhe drejtues të partive politike të cilët shkatërrojnë demokracitë brenda partive të tyre, dhe ne presim që të ndërtojnë një demokraci jashtë partisë, atëherë kjo është utopi.
Ajo që unë them dhe që e kam thënë gjithmonë: protesta duhet të jetë e gatshme dhe e përgatitur për Planin B.
Kush është Plani B? Lëre qeverinë teknike. Çdo qeveri teknike që do të vijë do të jetë një qeveri që do të emërohet nga dy partitë e mëdha.
Plani është që ajo protestë duhet të jetë e gatshme që, nëse Rama shpall zgjedhjet për 45 ditë, ata të kenë listën e përfaqësuesve për në Parlament.” Top Channel

