Rita Ora ka folur hapur për fëmijërinë e saj si refugjate dhe rrugëtimin që e çoi drejt suksesit në skenën ndërkombëtare, duke theksuar se ndihet krenare për origjinën e saj si emigrante.
Në një intervistë për The Times, këngëtarja me origjinë nga Kosova u shpreh se mbetet mirënjohëse për mundësitë që i janë ofruar në Mbretërinë e Bashkuar dhe për edukimin që ka marrë.
“E vetmja gjë që di është se jam gjithmonë mirënjohëse për arsimin që kam marrë dhe krenare që jam emigrante”, tha artistja.
Rita, e cila ka lindur në Prishtinë, u largua me familjen drejt Mbretërisë së Bashkuar në fillim të viteve ’90. Prindërit e saj, Vera dhe Besniku, ndërtuan një jetë të re atje, duke nisur gjithçka nga e para. Nëna e saj u rikualifikua si psikiatre, ndërsa babai ndryshoi profesion dhe më pas u angazhua në biznes.
Artistja theksoi se shumë emigrantë kanë një motivim të madh për të përparuar dhe se historia e shumë figurave të njohura të artit lidhet me rrënjë emigrante.
Përveç muzikës, Rita Ora zbuloi se do të kishte dëshirë të luante në një film të bashkëshortit të saj, regjisorit Taika Waititi. Ndërkohë, ajo është duke punuar për albumin e saj të katërt, ndërsa së fundmi është rikthyer edhe në rolin e Mbretëreshës së Zemrave në Descendants.
Burimi: The Times

