Xi, Putin dhe Trump. Sergei Bobylyov/Sputnik/Reuters / Takimi i Xi Jinpingut, Vladimir Putinit dhe Donald Trumpit në Shenzhen u paraqit si një moment historik për rendin e ri botëror, por nuk prodhoi marrëveshje konkrete. Pas retorikës për stabilitetin dhe bashkëpunimin, tri fuqitë bërthamore vazhdojnë të ndajnë interesa dhe objektiva të ndryshme. Historia shënoi sot një moment të veçantë. Në qytetin kinez të Shenzhenit, në kuadër të samitit të Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor (APEC), Xi Jinping, Vladimir Putin dhe Donald Trump u takuan për herë të parë së bashku si një treshe udhëheqësish.
Takimi u pagëzua si një lloj Jalte e dytë, duke nxitur krahasime me konferencën e vitit 1945, kur Bashkimi Sovjetik, Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe përcaktuan ndarjen e sferave të ndikimit në botën e pasluftës. Megjithatë, simbolika mbizotëroi mbi përmbajtjen, dhe kjo i shërbeu më së shumti Pekinit.
Putin foli për nevojën e bashkëpunimit konstruktiv për forcimin e stabilitetit global dhe zgjidhjen e konflikteve. Xi u bëri thirrje palëve të japin shembull, të shmangin mentalitetin e Luftës së Ftohtë dhe të respektojnë sovranitetin e shteteve.
Ndërsa Trump përsëriti se Irani nuk duhet të pajiset kurrë me armë bërthamore, pa harruar ta cilësonte Putinin si mikun e tij. Përpara takimit, në qendër të diskutimeve pritej të ishin kufizimi i armatimeve bërthamore dhe lufta në Iran.
Por në sfond qëndronin edhe çështje të tjera të ndjeshme: Tajvani, tensionet ekonomike mes Kinës dhe SHBA-së, skandali Nvidia dhe programi bërthamor i Koresë së Veriut. Pavarësisht dëshirës së Shtëpisë së Bardhë për ta vendosur çështjen e çarmatimit bërthamor në krye të axhendës, Kina e hodhi shpejt poshtë mundësinë e negociatave trepalëshe.
Sipas Pekinit, një proces i tillë do të ishte i padrejtë, i paarsyeshëm dhe jorealist. Në këtë pikë, Xi ka një argument të fortë: Kina ka shtuar rreth 100 koka bërthamore çdo vit në arsenalin e saj, i cili vlerësohet në rreth 620 të tilla.
Ky numër mbetet shumë më i ulët se arsenalet e SHBA-së dhe Rusisë, por Pekini nuk ka treguar gatishmëri për të frenuar zhvillimin e kapaciteteve të veta. Kushti i tij është që Uashingtoni të hedhë hapin e parë.
Për Kinën, armët bërthamore nuk janë vetëm instrument sigurie, por edhe burim prestigji dhe ndikimi, veçanërisht në raport me Tajvanin. Megjithatë, përfitimi kryesor i Xi-së nga takimi ishte diplomatik.
Duke pritur Trumpin dhe duke zhvilluar më herët takimin e tij të 50-të me Putinin, lideri kinez demonstroi se Pekini është në gjendje të mbledhë në të njëjtën tryezë si aleatë, ashtu edhe rivalë. Madje, fakti që Xi e priti personalisht Trumpin në aeroportin e Shenzhenit ishte një mesazh i qartë se Kina dëshironte të ishte në qendër të këtij procesi.
Marrëdhëniet mes Pekinit dhe Moskës nuk janë aq të ngrohta sa pretendojnë dy liderët, por kundërshtimi i përbashkët ndaj Perëndimit vazhdon t’i mbajë pranë. Në deklaratat e samitit, lufta në Ukrainë u përmend vetëm kalimthi.
Kjo i dha sërish mundësi Kinës të distancohet nga një konflikt ku, pavarësisht retorikës së neutralitetit, mbetet një mbështetëse e rëndësishme e Rusisë. Një çështje tjetër që shoqëroi takimin ishte mundësia e një takimi të Trumpit me liderin e Koresë së Veriut, Kim Jong-un. Një takim i tillë nuk u realizua, por dobësimi politik i presidentit amerikan pas rezultateve të pafavorshme të zgjedhjeve të mesmandatit mund ta shtyjë atë të kërkojë një sukses diplomatik përpara përfundimit të mandatit.
Kim nuk e ka mbyllur plotësisht derën për negociata me Uashingtonin, ndërsa Rusia po i ofron Phenianit ndihmë humanitare, naftë dhe teknologji ushtarake e raketore. Një afrim i ri me Trumpin, mund t’i leverdisë Koresë së Veriut, sidomos nëse Uashingtoni pranon në heshtje statusin e saj si fuqi bërthamore, pa siguruar asnjë lëshim real për çarmatimin.
Në fund, ndryshe nga Jalta e vitit 1945, ku aleatët fitues ndanë sferat e ndikimit pas një lufte botërore, takimi i Shenzhenit bashkoi tri fuqi që vazhdojnë të kenë mosbesim të ndërsjellë. Thirrja e Xi-së për të mësuar nga historia mbetet e vlefshme, por mësimi më i rëndësishëm është të mos ngatërrohet diplomacia me besimin dhe të mos nënvlerësohen pasojat e lëshimeve ndaj kundërshtarëve./Pamfleti nga “The Spectator” Shënim: Edward Howell është pedagog i politikës në Universitetin e Oksfordit. Ai ka qenë i përfshirë në thelimin e shërbimit të BBC World Service për Korenë e Veriut.
jalta 2.0 Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen Opinion Komedia dhe “bukuria antike” në parlamentin serb 19 Nëntor 2026, 08:1008:10Opinion Trump drejt pazarit të madh me Xi dhe Putinin: A do të paguajë faturën Evropa? 18 Nëntor 2026, 13:0413:04Opinion Ëndrra e rrezikshme e Erdoganit, çfarë fshihet pas lojës së madhe 17 Nëntor 2026, 21:5621:56Opinion Ben Blushi: 17 Nëntori, dita kur Tirana shpëtoi nga nazistët dhe hyri në historinë e paradokseve 17 Nëntor 2026, 18:3718:37Opinion Statutet e Partive, po pse na duhen vallë?! 17 Nëntor 2026, 14:2314:23Opinion Zina dhe një video me 1000 orë mëkat! 17 Nëntor 2026, 12:3212:32Opinion

