Një turiste britanike ka ndërruar jetë mbrëmjen e sotme në Jalë të Himarës, pasi kishte shfaqur probleme shëndetësore gjatë qëndrimit në një hotel.
Sipas njoftimit paraprak të Policisë, ngjarja është regjistruar rreth orës 18:40. 32-vjeçarja, e lindur në Londër, ishte akomoduar në një hotel në Jalë dhe, pasi nuk është ndjerë mirë, ka kërkuar ndihmë në recepsion.
Stafi i hotelit e ka transportuar menjëherë drejt Qendrës Shëndetësore, por pavarësisht ndihmës së dhënë nga mjekët, e reja ka ndërruar jetë.
Nga verifikimet paraprake mjekësore, dyshohet se vdekja ka ardhur për shkaqe natyrale. Sipas Policisë, 32-vjeçarja kishte pasur më herët probleme shëndetësore, konkretisht me frymëmarrjen dhe diabetin.
Ndërkohë, grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po kryen veprimet procedurale dhe vijojnë verifikimet për përcaktimin e plotë të shkakut të vdekjes.

