Nuk jemi kundër protestës, e cila vijon ditë pas dite ritualin e saj të xhiros së pasdites dhe mbrëmjes në bulevardin “Dëshmorët e Kombit’ si dhe përqëndrimin përpara godinës së kryeministrisë, teksa ka kaluar tashmë harkun dymujor që nga nisja e saj! E themi këtë, pasi protesta që nisi për mbrojtjen e Zvërnecit dhe zonave të tjera të mbrojtura, dhe u kthye në një Revolucion ‘Flaming’ me pikën maksimaliste të kërkesave, rrëzimin e Edi Ramës nga posti i kryeministrit, jo vetëm që është zvogëluar në numra por është ‘rrudhur’ dhe në imazh duke mos qënë më kërcënim për qeverisjen, por tashmë nuk mund të quhet më as ‘revolucion’! LEXO edhe...Fatos Çoçoli: Protesta, hija e vetvetes? Revolucioni ka kuptim tjetër, pavarësisht se si e etiketojnë organizatorët që qëndrojnë pas kësaj proteste. Revolucioni konvergon me idenë e rrëzimit të pushtetit me presion, dhunë apo në rastin më ‘fatlum’ për dy boshtet e revolucionit të shuar “Flaming’, neomarksistëve dhe islamit radikal të mbështetur nga qendrat e ajatollahëve dhe Anadollit, me prqëndrime në Prishtinë dhe Shkup, përmes përmbysjeve me armë apo me ‘plumbin ballit’ sikurse deklaron Dritan Goxhaj, alias ‘Avni Rustemi’ i ditëve tona! Pavarësisht tentativave periodike për ngritjen e temperaturës politike, sa herë ka pasur seancë parlamentare, përmes përdorimit të vezëve, domateve e elementëve të tjerë ushqimorë, protesta në Tiranë nuk po arrin më në nivelin e 20 ditëve të para të Revolucionit ‘Flaming’, i cili megjithëse zhvillohej në mënyrë paqësore, e kishte presionin brenda jo vetëm ndaj qeverisë por dhe ndaj opozitës e klasës politike në përgjithësi! Të cilën këronte ta zhdukte me gjithë sistemin! Futja e duarve nga ana e Berishës që dërgoi emisarët e tij dhe kapi protestën, por edhe nga krerët e partive të vogla që tentuan të marrin secili nga një ‘copë’ nga kjo protestë, rritja e dominancës në protestë nga përfaqësuesit e neomarksizmit në të dy anët e kufirit si dhe islamit politik, kakofonia e kauzave e mungesa e një kauze finale, dhe mbi të gjitha mungesa e një organizimi transparent dhe një lidershipi real e efiçent, solli shuarjen e Revolucionit ‘Flaming’, dhe vijimin rutinë të tubimit nëpër rrugët e kryeqytetit, pa kokë pa drejtim dhe pa orientim! Të kuptohemi dhe të mos nxitohet askush në përfundime fre në këtë rast! Protesta nuk është shuar, vijon herë me numër të pakët e herë me rritje numrash sidomos fundjavave, çdo mbrëmje! Por ama revolucioni “Flaming’ është shuar, nuk ka asnjë gram fuqi nga ajo që kishte gati 40 ditë më parë e që vërtetë mund të krijonte idenë se prej këtyre tubimeve mund të dalë një alternativë politike që mund të vinte në vështirësi partitë e mëdha! Nuk themi për t’i fshirë nga faqja e dheut siç paralajmëronin organizatorët dhe ata që flisnin në tubim, me një ‘teshtimë’ sipas tyre, pasi janë mbi 1.3 milionë vota që janë dhënë vetëm një vit më parë për PS dhe për PD e aleatët, 860 mijë për Ramën dhe mbi 500 mijë për Berishën! Pra janë fuqi e madhe për t’u zhbërë tak-fak! Nuk duam të biem në përsëritje, për të thënë se kush ndikoi në shuarjen e revolucionit, por një element bazë duhet që ta evidntojmë! Kjo protestë nuk arriti që të nxjerrë një produkt që të pretendonte në marrjen në dorë të fateve të vendit, përmes rrugëve institucionale ose sëpaku të ishte në nivelin e LSI të Ilir Metës së post-vitit 2005, e cila për shumë vite mbajti rolin e ‘King Makerit’, duke qënë përcaktuese në fatet e qeverisjes! Në fillim me PD e Berishës që me 4 votat e famshme e mbajti në pushtet dhe më pas një mandat me Edi Ramën! Mungesa e krijimit të një alternative qeverisëse nga ana e kësaj proteste që nisi si revolucion dhe përfi si foltoret e Berishës, krijoi kushtet për një hallakatje në axhenda, që nga sulmi ndaj turizmit, bizneseve e deri tek thirrjet për të qëndruar jashtë integrimeve eurotlantike si dhe rikthimi i Shqipërisë në epokën e “Gurit’ përmes krijimit të Kuvendeve parapolitike apo dhe islamit politik! Për më tepër që, teksa revolucioni “Flaming’ u mbyll njëherë e përgjithmonë, duke ia hequr ‘shqiptarëve të papërfaqësuar’ siç e quajnë veten ata që tubohen çdo mbrëmje për të bërë ritualin e xhiros së darkës nëpër rrugët e kryeqytetit, mundësinë për të pasur përfaqësinë e vet, ne këmbëngulim tek fakti që drejtuesit vijojnë të jenë anonimë, protesta e përditshme sa herë i jepet mundësia rikthehet në habitatin e vet, atij të Berishës në fakt, teksa sulmon policinë e shtetit me vezë, domate, kastraveca e ndonjë kapsollë nëpër të. Sulmon dhe deputetët e mazhorancës, dhe kryen veprime të tjera të dhunshme, duke ua sjellë në majë të hundës dhe qytetarëve, të cilët lëvizin me makina apo më këmbë për hallet e veta! Këta deputetët e Berishës mazallah se i prek! Eshtë unik fakti që sa herë që një protestë e humbet rëndësinë e vet, humbet ndikimin dhe mbi të gjitha qytetaria e Tiranës dhe atëherë kur i mbështet, fillon tërheqjen deri në mospjesëmarrje totale, fillojnë dhe dalin në sipërfaqe elementët e dhunshëm, kryesisht ‘mercenarë’ nga disa zona bastion të Berishës por dhe nga radhët e këtyre debilëve funksionalë të Albinit, të cilët marrin në dorë drejtimin e protestës! Duke i dhënë natyrë të dhunshme, e duke tentuar që me të njejtën mënyrë funksionimi, presioni dhe dhune, të marrin rezultat të ndryshëm nga ai që kanë marrë për 13 vite rresht PD por dhe parti të tjera në këto 36 vite, të cilat jo vetëm që nuk kanë ardhur në pushtet përmes dhunës, por as nuk ia kanë lëvizur një ‘fije floku’ mazhorancës së radhës! Në rastin e PS, ia kanë shtuar zgjedhje pas zgjedhjesh mandatet e deputetit, dhe për tre mandate rresht, nga katër mandate rresht, PS dhe Edi Rama po qeverisin të vetëm! E themi këtë sepse, Shqipëria e ka provuar edhe më parë mundësinë që pushteti të mund të ndryshohet duke ushtruar presion mbi sistemin, pa kaluar përmes mekanizmave normalë të demokracisë, pa ia arritur asnjëherë qëllimit. Mund të sjellim një rast të freskët, ku vendimi i Lulzim Bashës, me miratimin e plotë të Sali Berishës në prapaskenë, për të djegur mandatet e deputetit më 2019, u mbështet fort mbi bindjen absolute se largimi nga institucionet do ta detyronte sistemin të dorëzohej dhe Edi Ramën të dorëhiqej. Madje e ‘yshtën’ që të bojkotonte dhe pjesëmarrjen në zgjedhjet vendore, duke ia dhënë të gjitha pushtetet Ramës, me idenë që pushteti do ta ‘zërë brenda vetë’! Ndodhi e kundërta dhe ashtu sikundër duhej të ndodhte. Në vend që të dorëzohej sistemi dhe Rama u dorëzua vetë Lul Basha duke dalë nga jeta politike dhe tashmë është duke u vërtitur rrugëve të botës, pa asgjë në dorë. U dëbua nga Berisha në fakt! Madje, edhe atëherë, ishin të njejtët njerëz sikurse sot, të cilët e këshillonin Bashën që të përdorte strategjinë e forcës, pasi “Rama nuk mban presionin dhe do të bjerë nga përplasja e fortë”! Madje kishin zënë dhe panalet televizive sikurse sot dhe bënin thirrje për të braktisur institucionet dhe për të përdorur presionin dhe forcën për të larguar Ramën nga pushteti, dhe jo për të përgatitur veten për të hyrë në garën elektorale për të fituar zgjedhjet! Ndodhi ajo që ndodhi dhe PD e opozita u katandisën aq keq, sa tashmë nuk bëhet më fjalë për të ardhur në pushtet, por për mbijetesë politike! Të njejtën këshilltarë mizerabël, i dëgjojmë dhe sot nëpër panelet televizive teksa kërkojnë të përdoren mjetet e dhunshme, si mjet presioni që Rama të largohet! Duke ia ‘këputur’ krahët opozitës dhe atyre që nuk e duan Ramën, me deklaratat se “sa të jetë Rama kryeministër, nuk fitohen zgjedhjet’! Dhe vërtetë nuk fitohen, jo vetëm se qeverisja ka arritur rezultate dhe vendi është në prag të anëtarësimit në BE, por dhe pse PS është në përgatitje për të fituar zgjedhjet vendore të vitit të ardhshëm, bazën për një fitore të madhe në ato parlamentare të vitit 2029! Ndërsa opozita dhe këta mbështetësit e protestës, vijojnë simfoninë “Rama jepe dorëheqjen’, a thua fitorja vjen nga qielli! Zgjedhjet janë në prag, dhe pak muaj dhe vijnë! Teksa shohim qëndrimin e opozitës në 13 vite me radhë por dhe sjelljen e atyre që pretendojnë se drejtojnë protestën aktuale, mund të shpjegohet fare lehtë dhe arsyeja se përse këto lëvizje nuk kanë tërhequr as vëmendjen e partnerëve tanë ndërkombëtarë, të cilët kanë qëndruar larg! Kur themi partnerë, duhet të kuptohemi, janë institucionet evropiane, që nga Këshilli i Europës, Parlamenti Evropian e deri tek Komisioni Evropian, qeveria e BE, të cilët kanë me sa duket rezervat e tyre edhe për protestën e sotme, pasi Berishën me kohë dhe vakt e trajtojnë si një person ‘non grata’, ndonëse vetëm SHBA dhe Britania e Madhe e kanë shpallur si të tillë! Megjithëse nuk është se nuk kanë kritika ndaj qeverisë shqiptare, i kanë bërë publike këto kritika dhe kanë kërkuar avancimin e axhendës në këtë drejtim, nuk kanë asgjë të përbashkët qëndrimet e institucioneve evropiane me ato të këtyre individëve të përveçëm, qofshin dhe eurodeputetë të gjelbërt apo të majtë! Prandaj themi se BE dhe institucionet e tjera e kanë të pamundur që të mbështesin një rotacion apo transferim pushteti, i cili nuk mbështetet mbi një alternativë politike jo në ilegalitet, një alternativë të besueshme nga publiku e të organizuar për të qeverisur vendin. Nuk ka ndodhur askund që demokracitë perëndimore të mbështesin ndryshimin e një qeverie, me argumentin se është konsumuar gjatë në pushtet. Kanë dhënë mbështetje nga distanca vetëm atëherë kur përballë ‘pushtetit të konsumuar’ është shfaqur një alternativë e re dhe e besueshme! Prandaj dhe sponsorët jashtë vendit të kësaj protestës në Tiranë, kur panë se revolucioni “Flaming’ dështoi, filluan të tërhiqen nga financimi dhe mbi të gjitha të humbin të gjitha gjurmët që mund t’i dekonspironte në publik! Për të mbetur tërësisht anonimë! Këtu ia vlen të theksojmë, se opozita aktuale por dhe këta organizatorët e protestës të nxjerrin mësime edhe nga mjetet e presionit e të forcës që përdori Basha, pa mundur të arrijë asnjë rezultat! Përkundrazi! Basha në vend që të rrëzonte Ramën, u zhduk vetë nga qendra e politikës! Madje nuk është as në periferi, sa dhe publikimi i një fotoje të tij, shkakton habi! Por dhe përbën një bazë të fortë për ‘meme’! Sikurse e kanë nisur, opozita e Berishës dhe ky institucioni i protestës në Tiranë, jo vetëm që nuk po e dobësojnë qeverisjen e Ramës, por po e forcojnë akoma më shumë! Kjo duket dhe nga ‘dezertimi’ masiv nga radhët e opozitës për të shkuar në qeverisjen e Ramës! Rasti më i fundit i lëvizjes së ish sekretares së marrëdhënieve me publikun në PD, Jola Hysaj, e cila u emërua nga Rama drejtoreshë e Agjencisë Kombëtare të Turizmit, duke pasuar Dash Sulën, i cili u emërua po nga Rama kryeinspektor pranë kryeministrit dhe një sërë figurash të tjera të opozitës, tregon qartë faktin se, tek opozita dhe kritikët e qeverisjes së PS ka humbur besimi se do të vijnë ndonjë ditë në pushtet! Shkojnë tek Rama, si garancia më e sigurtë për të kontribuar, duke paralajmëruar një pushtet akoma më të gjatë të kësaj mazhorance! Të paktën deri më 20230 kur të anëtarësohet Shqipëria në BE, sikurse kanë garantuar dhe vetë evropianët! Eshtë ‘barometër’ ky! Dhe në fund të herës, ajo që nënvizojmë fort është se shuarja e revolucionit ‘Flaming’ dhe hyrja e protestës në shtratin e vet, njësoj si këto foltoret e Berishës, la prapa dhe një fenomen aspak të hijshëm dhe që nuk ishte shfaqur në këto përmasa më parë: Linçimin nëpër rrjetet sociale e deri tek mediat! Nuk kemi parë në këto përmasa asnjëherë një gjuhë të tillë të rëndë, lincuese dhe kërcënuese që shqiptarët bëjnë ndaj njëri tjetrit, vetëm, sepse mendojnë ndryshe! Kjo makineri e ‘importuar’ për hir të së vërtetës nga zyrat e Albinit, u implentua dhe në Shqipëri, duke mos lënë askënd që ishte kundër protestës pa e fyer, sulmuar dhe kërcënuar deri në atë farë feje, sa të përbëjnë dhe rrezik për jetën e tyre! Dhe nuk mund të bëjmë të paditurin dhe të themi se nuk u janë kthyer linçimet dhe nga pala e kërcënuar, pra kërcënimet këtyre ‘partizantëve’ të linçimit! Por ama kemi para fshatarë që sulmojnë fshatarët për mungesë qytetarie dhe orientimi politik. Kemi parë gazetarë që për herë të parë sulmojnë kolegët e tyre, duke përdorur fjalor të rëndë! Nuk e kishim parë kurrë një gjë të tillë! E them nga përvoja, pasi autori i këtyre radhëve, pavarësisht se çfarë shkruante në gazetën ku punonte, kafen e paradites e pinte te klubi që përdornin gazetarët apo afër selive të partive politike, pikërisht me gazetarët ‘kundërshtarë’, që nga Paloka e Patozi e deri tek Olldashi i ndjerë, si dhe gazetarë të tjerë që sot janë sërish emra të nderuar në median shqiptare! Përfshirë dhe ikonat e gazetarisë, që po linçohen vetëm sepse mendojnë dhe shfaqin opinion ndryshe, apo dhe nga emri! Pa pasur asnjë qëllim përfitimi, pasi janë pensionistë një pjesë dhe as që pretendojnë të marrin ndonjë post! Kemi parë sulme ndaj bizneseve, ndaj personave të caktuar, ndaj femrave, deputete ose jo, pa i kursyer aspak, thjeshtë e vetëm nga emri, pesha apo pamja! Dhe ata që i kërcënojnë, nuk kanë as emra të ‘fismë’, po i llogarisim sipas kutit të tyre, pasi emrat janë gjithkund të bukur për ata që i mbartin! Nuk kishte ndodhur kurrë një gjë e tillë, në të tilla përmasa! Ju garantojmë se gjuha e përdorur tregon vetëm një fakt: Dështimin e asaj lëvizje që kishin menduar, e që gjikush e kishte karikuar veten e ata që kishte rrotull se kjo qeveri nuk do ta mbante presionin. Do të dorëhiqej! Prandaj e ngritën ‘stekën’ dhe në pikën e parë të kërkesave u vu dorëheqja e Ramës! Eshtë koha t’i themi ‘Ndal’ linçimit për arsye politike dhe për asnjë arsye! Për të mirën e të gjithëve, pasi sulmet dhe kundërsulmet e fëlliqin qytetarinë edhe gazetarinë me të gjitha! Sepse Shqipëria një b***ë vend është, të gjithë e njohin njëri tjetrin! K.M/ReportTv.al jakin marena protestat kunder qeverise Komento Komente Sondazhi i ditës: Reforma territoriale, cili opsion iu pëlqen më shumë? 46 bashki (PS) 62.2% 100 bashki (PD) 15.2% 61 bashki (si sot) 22.6% Vota total: 690 Sondazhi i ditës: Reforma territoriale, cili opsion iu pëlqen më shumë?

