Karabinierët dhe policia italiane kanë arrestuar shtatë personat që dyshohet se urdhëruan vrasjen e ultrasit të Lazios, Fabrizio Piscitelli, i njohur me nofkën “Diabolik”, i ekzekutuar në Parkun e Ujësjellësve në Romë më 7 gusht 2019. Si porositësi kryesor i dyshuar konsiderohet Michele Senese, kreu historik i klanit me të njëjtin emër, i cili, sipas hetuesve, do të kishte dhënë miratimin paraprak dhe vendimtar për vrasjen e Piscitellit. Komisioni Antimafia kërkon aktet nga Prokuroria e Romës LEXO edhe...Çanta me 70 kilogramë kokainë dhe mbi 170 mijë euro në dhomën e gjumit, arrestohet shqiptari në Milano Sipas asaj që ka dalë nga hetimet, aksioni ndëshkues do të kishte shërbyer për të riafirmuar pushtetin e klanit ndaj një prej anëtarëve të tij. Organizimi kompleks dhe i paramenduar i vrasjes, e kryer në mes të ditës, është cilësuar nga gjyqtari i hetimeve paraprake i Gjykatës së Romës si një veprim i kryer me metoda mafioze, me qëllim favorizimin e klanit Senese, i cili kishte kontrollin në zonën ku ndodhi krimi. Tashmë, Komisioni Antimafia i ka kërkuar Prokurorisë së Romës aktet që lidhen me hetimin. Sipas autoriteteve, vrasja krijoi në territorin e Romës një klimë të përhapur nënshtrimi dhe heshtjeje, gjë që u dëshmua nga hezitimi i dukshëm i dëshmitarëve okularë dhe i bashkëpunëtorëve më të afërt të viktimës për të folur. Përmes përgjimeve ambientale dhe telefonike, si edhe analizimit të komunikimeve në aplikacione të enkriptuara, hetuesit kanë mbledhur prova të forta indicie për ekzistencën e një marrëveshjeje kriminale mes disa grupeve të ndryshme që vepronin në Romë. Sipas hetimeve, qëllimi i kësaj marrëveshjeje ishte mbrojtja e interesave të ndërsjella në tregun fitimprurës të trafikut të drogës. Konflikti mes Capriottit dhe Piscitellit Hetimet e karabinierëve të Njësisë Hetimore dhe të agjentëve të Skuadrës së Lëvizshme të Romës kanë bërë të mundur mbledhjen e elementeve që hedhin dritë mbi ngjarjet që dyshohet se shkaktuan reagimin që përfi me vrasjen e Piscitellit. Konflikti mes Alessandro Capriottit dhe grupit të drejtuar nga Piscitelli dyshohet se e kishte zanafillën në dy mashtrime të ndryshme të kryera nga Capriotti, i njohur me nofkat “il fornaro” ose “il miliardero”, gjatë blerjes së ngarkesave me kokainë nga furnizues shqiptarë. Rasti i parë daton në vitin 2016 dhe lidhej me 14 kilogramë kokainë, me një vlerë prej 420 mijë eurosh, ndërsa rasti i dytë ndodhi në vitin 2018 dhe përfshinte 10 kilogramë kokainë. Piscitelli, i cili prej kohësh kishte lidhje me ndërmjetës shqiptarë të trafikut të drogës, ishte përfshirë me dhunë në këtë çështje për të kërkuar me forcë shlyerjen e një borxhi të papaguar prej 300 mijë eurosh. Përplasja arriti kulmin më 23 shkurt 2019 në Rocca di Papa, kur Arindi Boci dhe Enea Carka, të cilët sipas hetuesve vepronin me urdhër të vetë Piscitellit, dyshohet se kryen një sulm të dhunshëm intimidues. Ata qëlluan katër herë me një armë automatike AK-47, kallashnikov, drejt derës së hyrjes së vilës së Capriottit, ndërkohë që brenda banesës ndodhej edhe vajza e tij e mitur. Ky akt i rëndë force dyshohet se e shtyu Capriottin të kërkonte mbrojtjen e Giuseppe Molissos, të cilit në këmbim i dorëzoi ora luksoze, dhe më pas të vendoste eliminimin fizik të rivalit të tij. Hakmarrja e shqiptarëve pas vrasjes së “Diabolik” Vdekja e Piscitellit nuk e ndali spiralen e dhunës në kryeqytetin italian. Menjëherë pas vrasjes, njerëzit besnikë të “Diabolik”, të lidhur me fraksionin shqiptar të drejtuar nga Elvis Demce, dyshohet se nisën një aktivitet intensiv kërkimi dhe ndjekjeje për të identifikuar dhe vrarë porositësit e krimit. Sipas hetimeve, në qarqet kriminale përgjegjësit për porositjen e vrasjes ishin identifikuar që në fillim si Giuseppe Molisso dhe Leandro Bennato. Provat e mbledhura gjatë hetimeve kanë bërë të mundur evidentimin e elementeve të forta lidhur me armiqësinë që grupi i shqiptarëve ushqente ndaj Giuseppe Molissos dhe Leandro Bennatos menjëherë pas vrasjes së Piscitellit. Hetuesit kanë arritur gjithashtu të rindërtojnë disa plane për vrasje të hartuara nga të dyja palët. Përplasja mes grupeve u konkretizua me tentativën për vrasjen e Leandro Bennatos; tentativat për vrasjen e Fabrizio Fabiettit dhe Matteo Costacurtas; si dhe tentativën për vrasjen e Giuseppe Molissos, e cila, sipas hetuesve, ishte planifikuar deri në detajet më të vogla nga shqiptari Elvis Demce, bashkëpunëtorët e tij dhe Costacurta. Në këtë seri përplasjesh përfshihet edhe agresioni i kryer në burg ndaj Raul Esteban Calderonit nga anëtarë të grupit shqiptar. Piscitelli u ndëshkua sepse ishte bërë i pavarur nga klani Senese Sipas rindërtimit të hetuesve, elementi kyç i gjithë ngjarjes është se Fabrizio Piscitelli u vra pasi, megjithëse ishte i lidhur me klanin Senese, kishte filluar të vepronte në mënyrë të pavarur në trafikun e drogës dhe refuzonte t’i jepte klanit pjesën që i takonte nga fitimet e aktiviteteve të tij të paligjshme. Ai dyshohet se i paguante klanit shuma që konsideroheshin tepër të vogla, rreth 2 mijë deri në 3 mijë euro në muaj, pavarësisht sasive të mëdha të drogës që tregtonte. Në urdhrin e arrestit theksohet se vrasja e Piscitellit ishte një aksion ndëshkues që synonte të riafirmonte autoritetin dhe pushtetin e klanit Senese ndaj një prej anëtarëve të tij./Corriere Della sera SI.E./ReportTv.al Fabrizio Piscitelli itali elvis demce Michele Senese Komento Komente Sondazhi i ditës: Ngërçi për pagat e drejtësisë, kujt i jepni të drejtë? Qeverisë 78.3% Magjistratëve 15.7% Nuk e di 6% Vota total: 2533 Sondazhi i ditës: Ngërçi për pagat e drejtësisë, kujt i jepni të drejtë?

