Lajme Zone
Itali: Shqiptari thyen postbllokun dhe arratiset si në filma, kapet në taksi me bizhuteri të vjedhura
KulturëJOQ Albania

Itali: Shqiptari thyen postbllokun dhe arratiset si në filma, kapet në taksi me bizhuteri të vjedhura

Një 31-vjeçar shqiptar është arrestuar në Itali, pasi dyshohet se ishte pjesë e një grupi që kryente vjedhje në banesa në zonat e Dozzës dhe Çezenës.

Një 31-vjeçar shqiptar është arrestuar në Itali, pasi dyshohet se ishte pjesë e një grupi që kryente vjedhje në banesa në zonat e Dozzës dhe Çezenës.

Sipas mediave italiane, arrestimi u bë pas një ndjekjeje të gjatë nga karabinierët, e cila nisi mbrëmjen e 17 korrikut. Policia kishte marrë informacion se një automjet tip Fiat Panda, i dyshuar se ishte përdorur në disa vjedhje, po lëvizte drejt Imolës përgjatë rrugës "Via Emilia".

Rreth orës 23:00, efektivët ngritën një postbllok në hyrje të qytetit, por drejtuesi i mjetit refuzoi t'i bindet urdhrit për ndalim, theu postbllokun dhe u largua me shpejtësi. Pak më vonë, automjeti u gjet i braktisur në rrugën "Via Calanchi". Hetimet zbuluan se makina ishte marrë me qira më 28 qershor në aeroportin e Bolonjës.

Kërkimet vijuan me mbështetjen e karabinierëve të Bolonjës. Rreth orës 01:00 të mëngjesit, i dyshuari u lokalizua teksa udhëtonte me një taksi nga Imola drejt banesës së tij në zonën Borgo Panigale.

Gjatë kontrollit fizik, policia i gjeti një radio-komunikimi dhe disa bizhuteri që dyshohet se ishin të vjedhura. Më pas, gjatë kontrollit në banesën e tij, u sekuestruan mjete për thyerje, një thikë gjuetie, fasheta plastike, një spraj irritues dhe bizhuteri të tjera.

Një pjesë e sendeve të sekuestruara u njoh nga një grua në Çezena, e cila kishte denoncuar vetëm pak orë më parë vjedhjen e banesës së saj.

Me urdhër të Prokurorisë së Bolonjës, 31-vjeçari shqiptar u arrestua nën dyshimin për vjedhje të rëndë në bashkëpunim dhe u dërgua në burgun "Dozza", ku do të qëndrojë në dispozicion të autoriteteve gjyqësore.

Ndërkohë, hetimet vijojnë për identifikimin e bashkëpunëtorit të tij, i cili sipas karabinierëve ndodhej në automjet në momentin e arratisjes, si dhe për të verifikuar nëse të dy janë të përfshirë edhe në vjedhje të tjera të ndodhura në zonë.