Lajme Zone
Ish-e dashura e “gropos” trafikantin shqiptar me fotot e fejesës
EkonomiJOQ Albania
Ky artikull është pjesë e një historie me 3 burime — Krahaso mbulimin →

Ish-e dashura e “gropos” trafikantin shqiptar me fotot e fejesës

Një 28-vjeçar shqiptar, i dënuar si drejtues i një rrjeti të fuqishëm të prodhimit të kanabisit në Mbretërinë e Bashkuar, përballet me dëbim të menjëhershëm pasi Gjykata e Mançesterit hodhi poshtë pretendimet e tij se ishte viktimë e trafikimit njerëzor.

Një 28-vjeçar shqiptar, i dënuar si drejtues i një rrjeti të fuqishëm të prodhimit të kanabisit në Mbretërinë e Bashkuar, përballet me dëbim të menjëhershëm pasi Gjykata e Mançesterit hodhi poshtë pretendimet e tij se ishte viktimë e trafikimit njerëzor.

Igli Hazizaj u burgos me dy vite burgim nga Gjykata e Kurorës në Carlisle, pasi u provua se ishte "organizatori kryesor" i shndërrimit të tre shtëpive në ferma kanabisi, me një kapacitet fitimi prej më shumë se 2 milionë paundësh në vit.

Pasi Ministria e Brendshme britanike urdhëroi dëbimin e tij, Hazizaj apeloi vendimin me pretendimin se ishte trafikuar drejt Britanisë dhe detyruar të punonte në fermat e barit për shkak të borxheve të familjes së tij ndaj një bande kriminale në Shqipëri. Ai pretendoi se kthimi në atdhe i rrezikonte jetën.

Fotot në rrjete sociale rrëzojnë alibinë

Alibia e 28-vjeçarit u shemb tërësisht kur ish-partnerja e tij publikoi në rrjetet sociale fotografi nga jeta e tyre private. I riu pretendonte se mbahej peng, por fotot e tregonin atë duke propozuar për martesë në Mançester, në një festë beqarie në Uells, si dhe në ceremoninë e diplomimit të ish-të dashurës së tij në Swansea.

Përveç jetës sociale aktive, Ministria e Brendshme paraqiti të dhëna fluturimesh që provonin se Hazizaj kishte udhëtuar disa herë drejt Shqipërisë dhe anasjelltas gjatë periudhës që pretendonte se mbahej i mbyllur. Po ashtu, gjykata u njoftua se ai ishte dënuar më parë me 9 muaj burg pasi u kap në aeroportin e Rinasit duke udhëtuar drejt Barcelonës me pasaportë greke të falsifikuar.

Vendimi i gjykatës

Gjyqtari Chris Cole i Qendrës së Drejtësisë Civile në Mançester arriti në përfundimin se Hazizaj e kishte "fabrikuar të gjithë historinë". "Historia e udhëtimeve të apeluesit, qasja e tij në dokumente identiteti të falsifikuara dhe mënyra e tij e jetesës në Mbretërinë e Bashkuar tregojnë se ai nuk ishte viktimë e trafikimit," u shpreh gjyqtari Cole gjatë shpalljes së vendimit. Hazizaj nuk u paraqit në seancën dëgjimore. Autoritetet britanike kanë nisur kërkimet për vendndodhjen e tij me qëllim ekzekutimin e urdhrit të dëbimit drejt Shqipërisë.