Lajme Zone
Irani mohon bisedimet me SHBA-në: Nuk ka plane për diskutime, po negociojmë vetëm me Omanin për Ngushticën e Hormuzit
BotëTop Channel

Irani mohon bisedimet me SHBA-në: Nuk ka plane për diskutime, po negociojmë vetëm me Omanin për Ngushticën e Hormuzit

Irani ka deklaruar se nuk është duke zhvilluar negociata me Shtetet e Bashkuara dhe nuk ka plane për bisedime të tilla, pavarësisht deklaratës së Presidentit amerikan Donald Trump se negociatat për t’i dhënë fund konfliktit do të rifillojnë të hënën.

Irani ka deklaruar se nuk është duke zhvilluar negociata me Shtetet e Bashkuara dhe nuk ka plane për bisedime të tilla, pavarësisht deklaratës së Presidentit amerikan Donald Trump se negociatat për t’i dhënë fund konfliktit do të rifillojnë të hënën. Teherani konfirmoi se po zhvillon bisedime vetëm me Omanin për të arritur një mirëkuptim mbi sigurinë e lundrimit në Ngushticën e Hormuzit.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmaeil Baghaei, tha se negociatat me Omanin synojnë krijimin e një rruge të përkohshme që do të mundësonte rifillimin e transportit tregtar përmes Ngushticës së Hormuzit, një prej korridoreve më të rëndësishme për tregtinë globale të naftës dhe gazit.

Deklarata e Teheranit erdhi pasi Donald Trump njoftoi se kishte anuluar sulme “masive” ndaj Iranit për t’i hapur rrugë negociatave. Duke folur në bordin e Air Force One, ai tha se Irani ishte në dijeni të planeve amerikane dhe se bisedimet do të nisnin së shpejti, pa bërë të ditur se kush do të merrte pjesë në to.

Presidenti amerikan shtoi se beson se ekziston mundësia për një marrëveshje që do të përfshinte rihapjen e Ngushticës së Hormuzit dhe një zgjidhje për programin bërthamor iranian. Ai deklaroi gjithashtu se Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Katari i kishin kërkuar të shmangte një ofensivë ushtarake, duke argumentuar se ende kishte hapësirë për diplomaci.

Megjithatë, agjencia gjysmëzyrtare iraniane e lajmeve Mehr hodhi poshtë pretendimet e Trump se Teherani kishte kërkuar pezullimin e sulmeve amerikane, duke i cilësuar ato si “gënjeshtra”. Top Channel