Irani i ka paraqitur Shteteve të Bashkuara një plan shtatëditor për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit, ka deklaruar ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi. Duke folur për gazetarët në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, Araghchi tha se propozimi i është përcjellë Uashingtonit përmes ndërmjetësve dhe parashikon që ngushtica të rihapet në fund të ditës së shtatë, nëse plotësohen disa kushte. “Ne i paraqitëm një plan Shteteve të Bashkuara përmes ndërmjetësve, që nëse plotësohen kushte të caktuara, Ngushtica e Hormuzit do të hapet në fund të ditës së shtatë dhe bisedimet do të fillojnë përsëri”, tha ministri iranian. Araghchi nuk dha detaje të plota mbi kushtet e Teheranit, por deklaroi se ato nuk ishin “asgjë më shumë” sesa kërkesat për të cilat dy vendet kishin rënë dakord në qershor. Sipas mediave amerikane, propozimi iranian iu përcoll administratës amerikane përmes një ndërmjetësi. Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë konfirmoi për CNN se SHBA-ja dhe Irani po zhvillojnë “bisedime pozitive dhe konstruktive përmes ndërmjetësve”. Përfaqësues të Shteteve të Bashkuara dhe Iranit zhvilluan të martën bisedime në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, në takimin e parë të këtij niveli mes dy palëve pas disa muajsh. Ndërkohë, mediat iraniane raportuan se Araghchi ka përcjellë edhe kushtet e Teheranit për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit. Mes kërkesave të përmendura janë heqja e menjëhershme e bllokadës detare amerikane ndaj bregdetit iranian, lirimi i të gjitha aseteve iraniane të ngrira dhe përfundimi i luftës në të gjitha frontet. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb Etiketa: irani SHBA

