Interi ka përshpejtuar negociatat për transferimin e Djed Spence nga Tottenham dhe është pranë arritjes së një marrëveshjeje për mbrojtësin anglez. Sipas raportimeve të La Gazzetta dello Sport, bisedimet mes Interit dhe Tottenhamit janë intensifikuar ndjeshëm gjatë orëve të fundit dhe palët janë gjithnjë e më pranë një akordi për transferimin e 26-vjeçarit në Milano.
Marrëveshja pritet të mbyllet për një shumë rreth 30 milionë euro, plus bonuse të lidhura me paraqitjet dhe performancën. Spence është identifikuar nga drejtuesit zikaltër si lojtari ideal për të marrë vendin e lënë bosh nga Denzel Dumfries, i cili është transferuar te Real Madridi.
Interi e ka ndjekur prej kohësh Spence dhe, pavarësisht se gjatë merkatos ka shqyrtuar edhe alternativa të tjera, anglezi nuk konsiderohet një zgjedhje e dytë. Përkundrazi, stafi teknik i klubit e preferon atë për shkak të karakteristikave të tij taktike dhe fizike, të përshtatshme për rolin e wing-back-ut në skemën e ekipit.
Fillimisht, Tottenham kishte vendosur një vlerësim prej rreth 40 milionë eurosh për lojtarin, por Interi ka arritur ta ulë ndjeshëm koston e operacionit. Gjatë kësaj kohe, drejtuesit e klubit italian kishin shqyrtuar edhe mundësinë e transferimit të Moussa Diaby, por negociatat me Al-Ittihad dhe kërkesat e larta financiare të francezit e bënë marrëveshjen shumë më të komplikuar.
Me Dumfries tashmë larg, Interi e sheh Spence si pjesën që mungon për të kompletuar repartin e krahëve dhe për të ndërtuar një skuadër të aftë për të luftuar për titullin në Serie A.
Megjithatë, tifozët zikaltër mund të duhet të presin pak për ta parë anglezin në një ndeshje zyrtare. Spence sapo është rikthyer në stërvitje pas pushimit të zgjatur, pas angazhimit të tij me Anglinë në Kupën e Botës.
Transferimi i Spence nuk duket se varet nga e ardhmja e Luis Henrique. Roma raportohet se është gati të bëjë një ofertë të rëndësishme për brazilianin, me shifra që variojnë nga 25 deri në 30 milionë euro.
Drejtuesit e Interit po e vlerësojnë situatën, por mbetet për t’u parë nëse do të pranojnë largimin e Henrique. Në çdo rast, prioriteti i klubit në krahun e djathtë duket i qartë: Djed Spence është gjithnjë e më pranë transferimit te Interi. Top Channel

