Shqipëria po vijon të tërheqë gjithnjë e më shumë vizitorë të huaj, me 1.95 milionë hyrje të regjistruara vetëm gjatë korrikut. Nderkohe, në shtatë muaj, numri i hyrjeve ka kaluar 7 milionë, me një rritje prej 6.5% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Fluksi i turistëve të huaj në Shqipëri vijon të rritet, me korrikun që shënoi një tjetër rekord hyrjesh në vend. Sipas të dhënave të INSTAT, gjatë korrikut 2026 në Shqipëri hynë 1,955.000 shtetas të huaj, rreth 130 mijë më shumë se në të njëjtin muaj të vitit të kaluar. Në terma vjetorë, rritja ishte 7.1%. Pjesa më e madhe e fluksit vjen nga Europa. Gjatë korrikut u regjistruan rreth 1.83 milionë hyrje nga vendet europiane, nga 1.73 milionë një vit më parë. Europa Jugore mbetet origjina kryesore e vizitorëve, me rreth 1.18 milionë hyrje, ndërsa rritja më e ndjeshme është shënuar nga Europa Qendrore dhe Lindore, me mbi 231 mijë hyrje, nga rreth 174 mijë në korrik 2025. Turizmi mbetet dominues në këto shifra, pasi 99% e hyrjeve të të huajve janë për qëllime personale. Kjo kategori u rrit me 7.3% krahasuar me korrikun e vitit të kaluar. Ndërkohë, hyrjet për qëllime biznesi dhe profesionale shënuan rënie me 8.9%. Edhe bilanci për shtatë muajt e parë të vitit tregon një ecuri pozitive. Nga janari në korrik 2026, në Shqipëri u regjistruan 7,014,168 hyrje të shtetasve të huaj, kundrejt 6,587,138 në të njëjtën periudhë të vitit 2025. Në total, janë regjistruar rreth 427 mijë hyrje më shumë, duke shënuar një rritje vjetore prej 6.5%. INSTAT sqaron se këto të dhëna matin hyrjet në pikat kufitare dhe jo numrin e personave unikë. Për rrjedhojë, një shtetas që hyn disa herë në Shqipëri gjatë periudhës llogaritet në statistika për çdo hyrje.
