Inspektorët që kontrollojnë bizneset për respektimin e kërkesave ligjore dhe standardeve do të pajisen së shpejti me kamera inteligjente të vendosura në trup, të cilat do të regjistrojnë në kohë reale çdo veprim gjatë inspektimeve. Lajmin e konfirmoi kryeministri Edi Rama, gjatë një konference të organizuar nga Inspektorati i Përgjithshëm, ku kërkoi gjithashtu që të marrin fund kontrollet e befasishme ndaj sipërmarrjeve, duke theksuar se inspektimet duhet të kenë si qëllim parandalimin e shkeljeve dhe këshillimin e bizneseve, në vend të vendosjes së gjobave. Gjatë konferencës ku u prezantua qasja e re ndaj kontrolleve në biznese, Rama bëri të ditur se inspektorët do të mbajnë uniformë civile, me kostum dhe kravatë, ndërsa kamerat do të jenë të lidhura drejtpërdrejt me qendrën. LEXO EDHE:Fatos Çoçoli: Ç’fitojmë nga udhërrëfyesi i BE-së ? “Të gjithë inspektorët e Inspektoratit të Përgjithshëm së shpejti do të vishen me uniformë civile, me kostum, kravatë. Të gjithë do të kenë kamerën inteligjente të vendosur si stemë në trup, që do të jetë e lidhur me qendrën, dhe të gjitha veprimet do të jenë të regjistruara në kohë reale. Kështu do të mund të inspektohet nga zyra e etikës e kryeinspektorit edhe edukata. Kamerat do të jenë bashkë me inspektorin gjatë gjithë orarit të punës”, tha Rama. Sipas kryeministrit, kamerat do të mundësojnë jo vetëm regjistrimin e kontrolleve, por edhe mbikëqyrjen e sjelljes së inspektorëve gjatë ushtrimit të detyrës. Rama u ndal edhe te ndryshimi i mënyrës së funksionimit të inspektimeve, duke theksuar se bizneset duhet të ndihmohen për të përmbushur standardet e kërkuara, veçanërisht në kuadër të përgatitjes për konkurrencën në tregun e Bashkimit Evropian. Ai tha se qëllimi i inspektimeve nuk duhet të jetë kapja e bizneseve në gabim apo vendosja e gjobave, por parandalimi i shkeljeve përmes paralajmërimit dhe orientimit. “Adaptimi me tregun e madh dhe të egër të BE-së, ku konkurrenca është shumë herë më e madhe dhe ku lufta për mbijetesë është shumë më e sofistikuar sesa deri më sot këtu brenda kufijve të këtij tregu. Inspektimet shkojnë në këtë drejtim, instrument që duhet ta ndihmojë biznesin që të rrisë standardet dhe të përgatitet për tregun e BE-së. Qëllimi kryesor i Inspektoratit të Përgjithshëm dhe trupave inspektuese duhet të jetë parandalimi. Nuk është qëllimi ynë të kapim në gabim biznesin, të ngremë kurthe që biznesi të kapet i papërgatitur dhe t'i vëmë gjobë, por të përmirësojë në vijimësi pozicionin e vet në raport me ato standarde që duhet të përmbushë dhe parandalimi duhet të jetë i shoqëruar si qasje me paralajmërimin”, u shpreh kryeministri. Rama kërkoi gjithashtu që të marrin fund kontrollet e befasishme në biznese, duke i krahasuar ato me operacionet për kapjen e grupeve kriminale. “Duhet të marrin fund kontrollet e befasishme sikur po shkohet në një shpellë për të kapur një grup kriminal. Territoret ku operon sipërmarrja janë territoret ku rritet ekonomia e përbashkët”, theksoi Rama. Kontrollet përfshijnë një sërë fushash që prekin drejtpërdrejt bizneset. Inspektorët verifikojnë sigurinë dhe kushtet në vendin e punës, deklarimin e punonjësve dhe pagave, kontratat e punës dhe pagesën e detyrimeve tatimore, etj. Paralajmërimi do të vlejë edhe për kontrollet e inspektoratit të ndërtimit, ndërsa inspektorët e veterinarisë dhe sigurisë ushqimore kontrollojnë respektimin e standardeve për produktet ushqimore. Rendit zhvillimet sipas orarit: Të Fundit Të Parat Ora 13:12 Reforma e inspektimeve në biznese, Dash Sula: Më pak barrë administrative, prioritet parandalimi i shkeljeve dhe jo gjobat Kryeinspektori i Përgjithshëm, Dash Sula, deklaroi sot se reforma në sistemin e inspektimeve synon të ulë barrën administrative për bizneset dhe t'i japë përparësi parandalimit të shkeljeve, në vend të kontrolleve dhe gjobave.Gjatë Konferencës mbi Investimet dhe Përmbushjen e Kërkesave Ligjore, Sula theksoi se inspektimet do të bazohen te analiza e riskut, këshillimi i bizneseve dhe respektimi i standardeve ligjore.“Një sistem modern inspektimi nuk mund të vlerësohet vetëm nga numri i kontrolleve apo masave administrative, por mbi të gjitha nga aftësia për të parandaluar shkeljet, për të reduktuar risqet dhe për të nxitur respektimin e ligjit”, tha Sula.Ai sqaroi se kjo qasje nuk do të thotë dobësim i kontrolleve shtetërore.“Ne synojmë një sistem ku burimet institucionale përqendrohen aty ku rreziku për interesin publik është më i lartë, ndërsa subjektet që respektojnë ligjin përfitojnë nga një administratë më e parashikueshme dhe nga reduktimi i barrës së panevojshme administrative”, deklaroi kryeinspektori.Sula shtoi se reforma parashikon edhe digjitalizimin e proceseve, forcimin e bashkëpunimit mes institucioneve, rritjen e transparencës dhe përmirësimin e trajtimit të ankesave përmes mekanizmave përkatës dhe platformës “e-Albania”. Ai theksoi gjithashtu se profesionalizmi i inspektorëve dhe investimi në përgatitjen e tyre do të mbeten përparësi të reformës. U.D/Shqiptarja.com Share U.D U.D Shqiptarja.com TAG: BE biznese edi rama Sa e vlerësoni këtë artikull? ★ ★ ★ ★ ★ 0.0 / 5 (0 vlerësime) Faleminderit! LAJMET MË TË VLERËSUARA Komente Komento Sondazhi i ditës:
3 Nëntor, 11:50
Cilin mbështesni në përplasjen politike që u hap? Ramën 53.8% Veliajn 21.3% Asnjërin 24.8% Vota total: 773 Votat totale janë unike Sondazhi i ditës: 3 Nëntor, 11:50 Cilin mbështesni në përplasjen politike që u hap?

